Të njohura për shijen e tyre të thjeshtë dhe për butësinë e pambuktë të brumit brioshët janë një nga zgjedhjet e preferuara për një mëngjes të shijshëm!
Mund t’i shijoni me gjithçfarë shijesh e mënyrash përgatitje, një prej të cilave do ta zbuloni edhe këtu.
Më poshtë ju tregojmë mënyrën e lehtë të përgatitjes së brioshëve me krem.
Përbërësit
- 300 ml qumësht i ngrohtë
- 18 g maja birre
- 100 gr sheqer
- 2 vezë
- 100 ml vaj luledielli
- 800 g miell
- 6g kripë
Për kremin:
- 400 ml qumësht
- 70 gr sheqer
- 1 vezë
- 8 gr vanilje
- 20 g niseshte misri
- 15 g miell
- 15 gr gjalpë
- 1 e verdhë veze
Përgatitja
Përzieni në një enë qumështin me majanë e freskët të birrës, sheqerin, vezët dhe vajin e lulediellit. Shtoni më pas edhe miellin, kripën dhe përziejini mirë.
Lyejeni brumin me vaj, krijoni një prerje kryqi mbi brumë, mbulojeni me qese plastike dhe lëreni të fryhet për 3 orë, ose derisa të dyfishohet në madhësi.
Pas kësaj ndani brumin në toptha, kalojini ato në tepsi, mbulojini me një copë dhe lërini të fryhen për 30 minuta.
Ndërkohë në një tenxhere bashkoni qumështin, vezën, sheqerin, vaniljen, niseshtenë e misrit dhe miellin.
Vendoseni tenxheren në zjarr dhe përziejini përbërësit derisa kremi të bëhet kompakt dhe më pas shtoni gjalpin.
Vazhdoni duke shtypur lehtë topthat e brumit dhe duke shtuar mbi to kremin në formë spirale.
Më pas lyeni topthat anash me të verdhën e vezës dhe piqini në furrë në 190° për 30 minuta.
Në fund spërkasni sheqerin pluhur dhe shërbejini brioshët tuaj.