Skënder Gega, trajneri i Partizanit doli në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të supersfidës ndaj Egnatias. Nga humbja në derbi, te përballja me Rrogozhinasit dhe afrimi “big” i mesfushorit Herolind Shala, numri 1 i panikës së kuqe, ndër të tjera deklaroi:
DISFATA NDAJ TIRANËS- Humbja në derbi gjithmonë ka patur impakt nga të dy krahët. Nëse fiton ke një impakt të mirë, nëse pëson një humbje të tillë personalisht e kam përjetuar keq për dy arsye. E para jam pjesë e derbit prej shumë e shumë vitesh si lojtar. E kam humbur edhe unë derbin. Kohët e fundit Partizani ka humbur derbi, por ndjej keqardhje mënyra se si u qasëm në fushë dhe u dënuam me 2 penallti dhe një goditje standarte.
Në këtë aspekt jam munduar të mos i drejtoj gishtin njeriu pasi nuk është 1 apo 2 lojtar për sa i përket performancës. Çuditërisht nga ndeshja me Egnatian e deri në ndeshjen derbi është një numër i madh.
Ndoshta edhe reagimi nga ana ime pothuajse ishte i pamundur në çdo 7 minuta ne u goditëm. Megjithatë është diçka e kaluar ne duhet të shohim përpara. Jemi munduar me të gjithë lojtarët ti ballafaqojmë, analizojmë gjërat , gabimet. Jemi munduar këto dy ditë për ti treguar secilit cila ka qenë performanca ku duhet të korrigjohen. Ka qenë kohë e shkurtër, 3 ndeshje në pak ditë ndoshta ka qenë e vështirë edhe mungesa e energjive, numrit të lojtarëve. Pa dashur të justifikohemi ata që u aktivizuan ndaj Tiranës kishin 100% besim tonë.
DUELI NDAJ EGNATIAS– Në futboll janë gjëra të paparashikuara edhe në derbi nuk e llogaritja se do të ndëshkohesha me ty penallti. Janë gjëra të paparashikuara. Shumë e rëndësishme është bashkëpunimi ajo që duhet në fushë, është lojë kolektive. Unë jam i shqetësuar , është e pa falshme se si vlerësohet një ndeshje derbi në atë lloj mënyre. Të shkosh në një derbi pa dhënë 100% është shumë më e ndershme të thuash unë nuk jam gati se jam i lodhur. Patjetër që ne mundohemi të marrim maksimumin, jemi në vend të 4 nuk kemi pse të kemi panik. Ne duhet të bëjmë lojën tonë , do mundohemi të jemi të kujdesshëm çdo gjë të funksionojë në grup , pastaj futboll është. Unë do isha shumë i qetë dhe do ishte luks nëse ky ekip do ishte 20 pikë përpara vendit të dytë dhe s’do kishin nevojë për mua dhe nuk do kisha asnjë meritë të dilja kampion. Unë kam ardhur në shtëpinë time në moment që më kanë thërritur ti bashkohem projektit për këtë lloj vështirësie nuk kam asnjë lloj pishmani.
AFRIMI I HEROLIND SHALËS– Shala është një njohje ime e vjetër, kemi bashkëpunuar bashkë te ekipin U-21. Është një model i profesionistit, është rritur me tjetër mentalitet, ka eksperiencat e tij. Përveç Shalës ka qenë shumë lojtarë që unë kam bashkëpunuar ruajmë gjithmonë respektin, më kanë përgëzuar, më kanë kontaktuar. Shala shprehu dëshirën pasi në Norvegji nuk luan sepse nuk ka firmosur e ftuam të vij të shohë klubin pasi njeh historinë po ashtu edhe mua. Ka ardhur dhe është tepër i kënaqur. Ka kaluar vizitat mjekësore.
Është një rast shumë i mirë që ne mendojmë dhe na jep ato që shpresojmë patjetër që në të ardhmen do të na ndihmojë. Për momentin është bërë pjesë e klubit edhe pse nuk ka firmosur . Nëse do të kishte gjendjen fizike 100% , të kishte minutazh patjetër që ne kemi nevojë për të gjithë për një nivel si Shala. Ndaj jam i kënaqur dhe i lumtur që një lojtar profesionit me atë lloj karriere ka ardhur pa asnjë lloj kushti. Thjesht do ti bashkohet projektit sepse beson se Partizani është një klub i madh dhe do të bëhet pjesë e historisë. Jam shumë i sigurt që do ketë kontribut të mirë sepse kemi nevojë për profesionistë si ai”, u shpreh Skënder Gega.