Një djalë dhe një vajzë e re u prangosën nga Policia e Tiranës, në operacionin antidrogë të koduar “Sauku”, zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë.
Sekuestrohet lëndë narkotike heroinë, një shumë parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, 1 automjet si dhe 3 telefona celular.
“Bazuar në informacionet se dy shtetas merreshin me shitjen e lëndëve narkotike heroinë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë, u arrestuan në flagrancë shtetasit D. R., 26 vjeç, banues në Elbasan dhe Xh. P., 22 vjeçe, banuese në Tiranë.
Pas mbajtjes në vëzhgim të mjetit me të cilin këta shtetas po qarkullonin dhe mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm se në këtë mjet kishte lëndë narkotike, shërbimet e Policisë në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Saukut, kanë ndaluar mjetin për kontroll.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “OPEL”, me drejtues shtetasin D. R. dhe pasagjere shtetasen Xh. P., në pjesën e kasetafonit të automjetit, shërbimet e Policisë kanë gjetur 2 qese plastike me lëndë të dyshuar heroinë, e përgatitur dhe ndarë në doza gati për shitje,(15.2 gramë), një shumë parash që dyshohet se i kanë përfituar nga shitja e lëndës narkotike dhe tre aparate celular”.
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.