Shpëtim Duro ka pranuar se Besa që ai drejton, kishte probleme të mëdha dhe i ka rreshtuar ata para kamerave pas barazimit 1-1 ndaj Lushnjës në kampionat, në ndeshjen e tretë radhazi që skuadra e tij nuk fitonte, edhe pse shënon e para.
“Këtë detyrë e mora përsipër jo me shumë dëshirë, pasi kampionati kishte filluar, merkato kishte mbaruar. Nuk e njihja skuadrën të them të drejtën, por përsëri sulmuesi kryesor nuk shënon e pastaj pësojmë gola në mënyrë amatoreske. Padyshim ka, edhe problemi psikologjik është, por ka edhe problem merkatoje, disa lojtarë janë në limite dhe kjo shfaqet herë pas here edhe në fushën e lojës.
Ndërrova lojtarë sepse mendova që sulmuesi kryesor ishte i vetëm dhe futa një tjetër, që normalisht nuk është ne qendër por në krah. E hodha që të bënte presion te qendrat. Pastaj edhe tensioni është, se pashë disa futbollistë në pjesën e dytë, në momentet më të mira tonat, bëjnë gabime elementare në pasime. Nga kjo bie rendimenti i skuadrës kur një lojtar bën gabime në tre pasime, mblidhen të gjitha në anën emocionale e psikologjike. Kjo tregohet nga fakti që kemi shënuar në të tre ndeshjet, skuadra luan e të gjitha por shoh që nuk ka besim për të fituar ndeshjen.
Situata është e vështirë, por të shohim si zhvillohen ngjarjet. Unë e kam marrë këtë detyrë, nuk e kisha në plan, por insistimi i presidentit, se kur nuk e ndërton skuadrën vetë, dalin problemet. Po, ka probleme të jashtëzakonshme të kualiteteve, e ka pranuar edhe presidenti vetë për merkaton, se janë larguar pika të forta e nuk janë zëvendësuar. Skuadra ka luajtur, por kur nuk ke sulmues goli…”, tha ndër të tjera Shpëtim Duro për RTSH pa ndeshjes.`