Serbi-Angli nuk ka qenë një katastrofë vetëm në aspektin sportiv për serbët. Të turpëruar në fushën e lojës me 5 gola përballë publikut të tyre, ata kanë shijuar një humbje të rëndë për moralin, por edhe për të ardhmen. Dhe sigurisht, tifozët e pandreqshëm serbë kanë bërë të tyren për të përkeqësuar gjendjen.
Para ndeshjes ndaj Anglisë, e cila është luajtur me stadium me kapacitet të kufizuar për shkak të dënimit për sjellje raciste dhe thirrjet antishqiptare në ndeshjet e mëparshme të Serbisë, federata vendase kishte bërë thirrje pa fund që të shmangej çdo incident pasi UEFA i kishte nën monitorim. Por gjatë takimit, incidentet nuk munguan dhe kishte shumë të tilla që u pasqyruan gjerësisht në mediat ndërkombëtare.
Thirrje raciste dhe antishqiptare nga tribunat, kore për Kosovën, por edhe sherre u konstatuan gjatë gjithë ndeshjes. Në disa momente, kishte përplasje mes grupeve të tifozëve serbë në tribunë, ndërsa njëri syresh u kap nga policia teksa po tentonte t’u vërsulej mbështetësve anglezë në stadium. Gjyqtari ndërkohë u detyrua të ndalte takimin dhe të bëhej thirrje që të ndalej përdorimi i lazerave, pasi një prej tyre po bezdiste vazhdimisht Konsa të Anglisë. Mediat në Serbi kanë nënvizuar se me shumë gjasa përballja me Shqipërinë do të luhet me dyer të mbyllura pa praninë e spektatorëve