Në ndeshjen me Egnatian, trajneri Roberto Bordin mund t’i gëzohet faktit që do të rikthehet pas pezullimit mesfushori Kristian Dros. Atij iu desh që ndaj Tiranës të qëndronte pushim për shkak të pezullimit prej kartonëve. Ndaj rrogozhinasve, mesfushori do të jetë i gatshëm, ndërkohë që këtë javë nuk ka asnjë futbollist që nuk luan për shkak pezullimi. Sigurisht, skuadra nuk do të jetë e plotë, pasi lista e dëmtimeve është e gjatë dhe shumë futbollistë janë në mëdyshje.
Emiljano Musta, Arsen Kasa dhe Bruno Telushi mungojnë prej javësh, ku edhe pse u mendua se do të ishin gati ndaj bardhebluve, nuk ndodhi ashtu. Së fundmi, shqetësim ka pasur edhe për sulmuesin Ze Gomesh, i cili u la edhe në stol nga trajneri ndeshjen e fundit apo edhe Harallamb Qaqi, që e ndoqi ndeshjen nga tribuna.