Ron Raçi, është zyrtarisht lojtari më i ri i Hajduk Split, pas marrëveshjes së arritur me Prishtinën për transferimin e tij. Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi kroat përmes një njoftimi zyrtar. Ekipi nga kryeqyteti do të fitojë 300,000 euro dhe 10% nga shitja e radhës Në negociata për transferim dhe prezantimin e Raqit te ekipi kroat morën pjesë menaxherët Eros Grezda dhe Giovanni Santoro.
“HNK Hajduk dhe FK Prishtina kanë rënë dakord për transferimin e mbrojtësit 22-vjeçar Ron Raçi, i cili ka nënshkruar një kontratë me të bardhët deri në verën e vitit 2029″, thuhet fillimisht në njoftim.
“Mbrojtësi i gjatë do t’i bashkohet menjëherë seancave stërvitore të ekipit të parë dhe do të veshë fanellën me numër 14 te Hajduku. Sezonin e kaluar, Raçi përjetoi afirmim të plotë në radhët e Prishtinës, ku ishte lojtari më i mirë i klubit. Në karrierën e tij si senior, ai bëri mbi 40 paraqitje zyrtare dhe shënoi tre gola me një asist. Konfirmimi i cilësisë së tij të lojës erdhi në qershor në formën e një thirrjeje në ekipin kombëtar të Kosovës, kur ai bëri debutimin e tij zyrtar në një ndeshje kundër Komoreve. Ron, mirë se erdhe në Hajduk. Të urojmë shumë fat, suksese dhe performanca të mira me fanellën e bardhë!”, përfundon njoftimi i klubit kroat