“Duhet të luajmë me zemër”, Bordin kërkesë tifozëve të Tiranës: Jeni më të mirët në Shqipëri, na mbështesni

by S.M

Roberto Bordin kërkon të debutojë me fitore nesër te Tirana. Bardheblutë presin nesër në orën 16:00 Flamurtarin dhe do të luajnë në “Selman Stërmasi”. Në prag të kësaj sfide, italiani doli para mediave duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

“Faleminderit për urimet, e kemi pranuar me kënaqësi këtë sfidë të rëndësishme pasi Tirana është ekipi më i titulluar në Shqipëri. Sigurisht më ka bindur stafi drejtues, duke filluar nga presidenti, drejtori sportiv dhe Grenti, e nuk mora shumë kohë për ta pranuar këtë sfidë të rëndësishme. Sigurisht objektivi i klubit dhe i imi është që të arrijmë lart, janë edhe shumë ndeshje në dispozicion, është dhe koha e mjaftueshme për të njohur lojtarët duke pasur parasysh që ka pasur shumë lëvizje.

Duhet shumë kohë dhe punë për të ecur përpara, por objektivi është ai që të jemi shumë lart. Unë flas vetëm për veten dhe jo për të tjerët, kështu që koha për mua është shumë e rëndësishme, pastaj përveç kohës është edhe pjesa e merkatos së janarit që mund të kemi ndërhyrje, nevojë, por për të bërë një punë të mirë duhet kohë dhe shumë qetësi dhe është e rëndësishme që kam ardhur që në fillim.

Sigurisht që kemi pak probleme te pjesa difensive se kemi gjetur lojtarë edhe të dëmtuar dhe është diçka që na shqetëson për momentin, kemi lojtarë të mirë te pjesa ofensive edhe pse na mungojnë lojtarë te pjesa difensive, por puna jonë është që tju marrim maksimumin lojtarëve që kemi, nuk duhet të kërkojmë as alibi as përgjegjësi tek të tjerët. Është shumë e rëndësishme për të gjithë ne, stafin, tifozët që do të rikthehemi të luajmë në shtëpi që ta rigjejmë skuadrën në stadiumin e tyre dhe sigurisht është një avantazh për ne ky rikthim në shtëpi.

Përsa i përket pjesës së punës duhet edhe koha e mjaftueshme për ti parë lojtarët, trajneri ka idetë e veta dhe sigurisht që iu qëndron atyre ideve, por duhet të jetë i aftë të përshtatet me lojtarët dhe tju marrë maksimumin. Kemi probleme në fazën difensive si numër dhe jo si cilësi lojtarësh, thjesht duhet të përshtatemi dhe ti zgjidhim problemet duke punuar.

Sigurisht që objektivi ynë është ti fitojmë ndeshjet, thjesht duhet të bëjmë Tiranën, të luajmë me zemër dhe shpresoj të marrim rezultatin që duam. E di që tifozeria e Tiranës është më e mira në Shqipëri, jam i bindur që do të vijnë të shumtë në stadium për të na mbështetur, ua kam thënë edhe lojtarëve që besoj janë të ndërgjegjshëm se çfarë fanelle veshin dhe lojtarët duhet të bëjnë atë që të duket se tifozët janë lojtari i 12-të në fushë”, përfundoi Roberto Bordin.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.