Dejvi Bregu është zyrtarisht lojtari më i ri i Dinamo City-t.
Lajmin e ka bërë publik vetë klubi që nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar nënshkrimin e 28-vjecarit, që ka firmosur për tre vitet e ardhshme.
“Dejvi Bregu vishet blu!
FC Dinamo City ka kënaqësinë të njoftojë afrimin e një emri të njohur të futbollit shqiptar, si Dejvi Bregu. Presidenti Adrian Bardhi ka bërë goditjen e madhe, duke firmosur një kontratë 3-vjeçare me sulmuesin vlonjat.
Bregu luan në të dy krahët e sulmit, por edhe si numër 10. Futbollisti 28-vjeçar është aktivizuar në vendin tonë me Flamurtarin, Luftëtarin, Skënderbeun dhe Teutën. Ai ka luajtur gjithashtu në dy kampionate të huaja, në Turqi dhe në Poloni.
Dinamo City siguron kështu një lojtar cilësor me eksperiencë, që pritet ta ndihmojë për arritjen e objektivave të sezonit të ardhshëm. Mirsevjen në familjen blu, Dejvi Bregu!” – shkruan Dinamo City.
Bregu rikthehet kështu në Shqipëri pas tri vitesh nga koha kur u largua nga Teuta, teksa fillimisht luajti ne Turqi me Boluspor dhe Umraniyespor, ndërsa sezonin e kaluar u aktivizua në Poloni me skuadrën e Wisla Krakow.