Kryeministri Edi Rama nga Vlora ka pranuar fenomenin e largimit të të rinjve nga Shqipëria. Gjatë një bashkëbisedimi me banorë të zonës, kreu i qeverisë u shpreh se ky është një fenomen që ndodh në të gjitha vendet ish-komuniste.
“Ka një gjë që unë e them dhe do ta them, nuk e di a humb vota, mbase nuk sjell asnjë votë, mbase më humb vota, por kjo është e vërteta. Ne jetojmë në një fazë historike ku trendi i largimit të njerëzve nga vendi është negativ. Në sensin që më shumë ikin se vijnë. Por ky nuk është një fenomen shqiptar, por është është fenomen i të gjitha vendeve ish komuniste. E dyta, shqiptarët vetëm në një periudhë historike të tyre nuk kanë dalë, kur i mbylli Enver Hoxha në kafaz dhe i bëri si gardelina që duhet të këndonin vetëm këngën e partisë. Në të kaluarën shqiptarët kanë qenë një popull që ka lëvizur gjithmonë”, tha kreu i qeverisë.
Rama tha se nuk mund të ndalojë të rinjtë që duan ta provojnë veten jashtë. Sipas tij, nuk ka asnjë provë që gjatë mandatit të tij janë larguar 500 mijë shqiptarë.
“Por ajo që është skandalozë është propaganda që bëhet këtu dhe helmi që hidhet. Nga ana tjetër e para, shqiptarët kanë filluar të lëvizin që në 90. Shifrat që jepen këtu që erdhi Rama dhe ikën 500 mijë vetë kjo nuk vërtetohet. Ka më shumë shqiptare që ikin, sesa vijnë”, tha Rama.