Qazim Laçi dhe Elseid Hysaj u shfaqën sot në konferencë për shtyp, para ndeshjes që Kombëtarja do të luajë përballë Serbisë. Episod që solli të qeshura, u regjistrua pas një pyetje në sallë.
E keni pyetur Hysajn se çfarë mbart një ndeshje përballë Serbisë. Meqë e kemi edhe Hysajn këtu, çfarë iu ka sugjeruar?
Qazim Laçi: A ta them unë, a ta thuash ti më mirë? Kemi folur thjesht… Ta thotë ky jo unë.
Elseid Hysaj: Nuk besoj ka nevojë të tregoj si është ndeshja me Serbinë. Të gjithë e kanë parë në televizor kur kemi luajtur aty, të gjithë e dinë çfarë do ky komb dhe ne si skuadër.
Qazim Laçi: Thjesht ka ndihmuar nga aspekti psikologjik si ta mendojmë këtë ndeshje dhe ta fitojmë. Gjëra të tjera janë për njerëz të tjerë.
INFORMACIONI MBI BILETAT
Federata Shqiptare e Futbollit është e angazhuar për të garantuar një proces të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë tifozët që duan të ndjekin nga stadiumi ndeshjen shumë të rëndësishme Shqipëri–Serbi, që do të luhet më 7 qershor në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Faza e aplikimit për bileta
- Faza e aplikimit për bileta është hapur më 15 maj dhe ka qenë e hapur për 15 ditë, deri më 30 maj në orën 20:00, për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, brenda dhe jashtë vendit.
- Çdo aplikues ka pasur të drejtë të aplikojë për të blerë deri në katër bileta.
Procesi i përzgjedhjes – short elektronik
- Nga 31 maj deri më 2 qershor, zhvillohet shorti elektronik që përzgjedh në mënyrë krejtësisht rastësore aplikuesit që do të fitojnë të drejtën për të blerë biletë.
- Çdo person i përzgjedhur do të marrë një e-mail zyrtar me një link personal, për të vijuar më pas me blerjen e biletave.
Numër i lartë aplikimesh
- Deri më tani janë regjistruar mbi 200,000 aplikime, që tregon interesin e jashtëzakonshëm të publikut për këtë ndeshje.
- Do të zbatohen filtra sigurie dhe verifikimi për të eliminuar:
o aplikime të dyfishta apo të dyshimta,
o llogari të krijuara enkas për spekulim ose abuzim,
o dhe për të siguruar që çdo individ të ketë vetëm një mundësi të drejtë.
Siguri dhe identifikim personal
- Çdo biletë do të jetë e personalizuar me emër dhe mbiemër, dhe në hyrje të stadiumit, Policia e Shtetit do të verifikojë ID-të për përputhshmërinë me të dhënat e biletës.
- Ky sistem ndihmon në garantimin e sigurisë dhe në shmangien e abuzimeve.
Lufta kundër spekulimit dhe tregut të zi
- Kjo procedurë ka ndihmuar në minimizimin apo edhe eliminimin e dy fenomeneve të dëmshme:
o platformave ndërkombëtare që blejnë bileta në sasi dhe i shesin më shtrenjtë online,
o si dhe të ashtuquajturit “tregtarë të biletave” që operojnë në mënyrë të paligjshme me para në dorë.
Një model i ngjashëm me UEFA-n
- Ky është një model i njëjtë me atë të UEFA-s në rastet kur kërkesat janë jashtëzakonisht të larta, si në finalet e Champions League, Europa League, Conferece League apo Kampionateve Europianeve, ku aplikohet gjithashtu shorti elektronik i rastësishëm për përzgjedhjen e tifozëve.