Lefter Zhidru, 71-vjeçari që alarmoi mbarë vendin ditën e djeshme, është nga fshati Xarrë i Sarandës, por banues në qytetin e Elbasanit.
Gjatë pesë viteve të fundit ai mësohet se ishte transferuar në lagjen “11 Nëntori”, të Elbasanit, bashkë me bashkëshorten dhe vajzën e tyre. Ai humbi jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA në banesën e tij, të cilën e kishte marrë me qira.
Mesditën e djeshme ai shkaktoi terror në qytet duke qëlluar me breshëri armësh nga banesa e tij në drejtim të forcave të Policisë. Për pasojë mbeten të plagosur dy djem të rinj, kalimtarë të rastësishëm. Gjithçka nisi pas një konflikti familjar.
Sipas informacioneve, 71-vjeçari është proceduar penalisht edhe gjatë muajve të pandemisë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij. Ndërkohë, banorët e zonës janë shprehur se Zhidru ka qenë njeri problematik dhe se ka ushtruar dhunë në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij.
Ndërkohë, ditën e djeshme Policia u njoftua rreth orës 13:00 nga bashkëshortja, Floresha Zhidru, e cila kërkoi ndihmën e Policisë, sepse bashkëshorti po e kërcënonte me armë. Në terren kanë mbërritur forca të shumta policie. Kjo situatë ka krijuar panik edhe te banorët dhe kalimtarët, të cilët nga frika teksa ndodheshin aty, janë shtrirë në tokë për të shmangur plumbat.
I MOSHUARI, I MARTUAR TRI HERË
Lefter Zhidru mësohet se e kishte martesën e tretë me shtetasen Floresha Zhidru. Me këtë Lefteri kishte edhe një vajzë të mitur, 14 vjeçe. Kjo e fundit në klasën e nëntë. Jetesën me Floreshën, Lefteri kishte vendosur ta bënte në qytetin e Elbasanit, larg vendit ku edhe kishte lindur apo banuar më herët. Edhe ashtu ka bërë. Pesë vitet e fundit ata jetonin në një pallat në lagjen “11 Nëntori”.
Banorët e kanë përshkruar bashkëjetesën e tyre të dhunshme. Sipas tyre, Lefteri ishte një njeri problematik, i dhunshëm dhe mjaft agresiv me të tjerët. Madje, ai nuk kishte komunikim me asnjë nga banorët e pallatit. Këta të fundit kanë treguar se mes çiftit Zhidru nuk kishte ditë që të mos dëgjoheshin të zënat e dhunshme. Ndërsa gruan e përshkruajnë të urtë dhe se i nënshtrohej 71-vjeçarit. Kjo si pasojë e dhunës që ky i fundit ushtronte ndaj saj.
Ndërkohë, 71-vjeçari më herët mësohet se ka pasur edhe dy martesa të tjera në zonën ku edhe banonte, pra në fshatin Xarrë të Sarandës. Por këto martesa kishin përfunduar më herët. Nga këto martesa të mëparshme, Lefer Zhidru mësohet se ka sjellë në jetë edhe fëmijë. Madje, ditën e djeshme ai mësohet se kishte kërkuar që në banesë t’i dërgonin djalin.
Dyshohet se divorcet e tij të mëparshme kanë sjellë edhe shpërnguljen në qytetin e Elbasanit. Aty ku gjatë kohëve të fundit ishte bërë “i njohur” për dhunën që ushtronte ndaj bashkëshortes. Sakaq, ditën e djeshme fatmirësisht gruaja dhe vajza e çiftit janë marrë nga Policia. Ndërsa ngjarja është shënuar në një lagje të banuar të Elbasanit dhe në momentet e para shumë banorë janë evakuuar nga pallati pesëkatësh te lagja “11 Nëntori”.
Fqinjët e viktimës: Kishin debate, Policia e shoqëronte dhe e lironte sërish
Teksa Forcat RENEA zhvillonin operacionin për të neutralizuar 71-vjeçarin që qëllonte herë pas here me armë zjarri, dëshmitarët kanë treguar në media se si e njihnin autorin. Po ashtu, një grua ka treguar se teksa po shkonte për në banesën e saj, para këmbëve kanë rënë dy djemtë që u plagosën nga 71- vjeçari.
“Sapo kam zbritur nga autobusi dhe po ecja për në shtëpi. Eca ca metra, dëgjova të shtënat, As po lëvizja dot. Ishin dy policë, na ndalën. Na futën pas një pallati. Më pas u plagosën para këmbëve tona dy të rinjtë. Ndodhi shumë shpejt”, ka treguar dëshmitarja.
E pyetur se a e njihte 71-vjeçarin dhe si ishte ai në komunitet, ajo tha: “Me aq sa dëgjova, kështu ka qenë gjithmonë, por unë nuk e njoh”. “Nuk arritëm të shihnim asgjë. Vetëm të shtëna dëgjonim. Në atë moment ka pasur shumë njerëz, lokalet ishin plot dhe Policia që ishte një makinë para dhe një mbrapa. Kaq kam parë. U trembëm të gjithë. Disa nuk lëviznin fare”, ka vijuar më tej dëshmitarja.
Ndërkohë, fqinjët e 71-vjeçarit Lefter Zhidru, i cili prej rreth pesë orësh qëndroi i mbyllur në banesë nga ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Policisë, kanë treguar se ai bashkë me të shoqen kanë 5 vite që jetojnë me qira në këtë pallat. Sipas fqinjëve, ata janë prindër të një vajze të mitur, ndërsa nuk kanë komunikim me asnjë prej tyre. Ata kanë treguar se çifti shpesh herë komunikonte me zë të lartë duke prishur edhe qetësinë e banorëve të tjerë.
“Kishte debate por si familjarë. Bënte pak zhurmë, por si të gjithë të tjerët. Ka ardhur Policia, e ka shoqëruar dhe ka thënë nuk bëj më dhe e kanë liruar”, thotë një prej tyre.
Çifti kishte 5 vite që jetonin me qira në banesën ku ndodhi ngjarja e ditës së sotme. Sipas fqinjëve, ata kishin pasur debate të vazhdueshme në banesë me tone të larta, ndërsa nënë e bijë dhunoheshin nga i moshuari. Ky i fundit raportohet se ishte agresiv edhe me fqinjët e tij. Për pesë orë dje pati shpërthime, të shtëna dhe gaz lotsjellës.
Imoshuari nuk u bind të dalë jashtë banesës pavarësisht tentativave të grupit të negociatorëve, mes të cilëve ndodhej edhe vajza e tij 13-vjeçare nën asistimin e një psikologu. Ai kërkoi prej tyre që t’i sillnin djalin, por kjo qe e pamundur pasi ky i fundit jeton në shtetin grek. Pas ndërhyrjes së RENEA-s në banesë, pati një shkëmbim zjarri e për pasojë 71-vjeçari mbeti i vdekur.
PRECEDENTI PESË VITE MË PARË
Ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Elbasan, e cila përfundoi me ekzekutimin e 71-vjeçarit Lefter Zhidru nga efektivët e RENEA-s, ishte pothuajse një skenar i ngjashëm me atë të ndodhur në Shkodër në vitin 2015. Ruzhdi Arishta, 56 vjeç, bëri një rezistencë përreth 12 orë ndaj efektivëve të RENEA-s dhe FNSH-së, duke qëndruar i izoluar në banesën e tij në Obot të Ri. Arishta plagosi fillimisht fqinjin e tij për shkak të konflikteve për gardhin. Kjo solli ndërhyrjen e forcave të Policisë për të bërë të mundur arrestimin e tij. Pas rrethimit nga uniformat blu ai vrau me armë zjarri komandantin Simon Gjeta, pasi lëshoi në drejtim të këtij të fundit një breshëri plumbash, tre prej të cilëve kapën Gjetën në qafë e kokë, duke i marrë jetën.
Burimi: “Panorama”