Partizani po kalon një nga periudhat më të vështira të viteve të fundit. Pas dhjetë javësh kampionat, të kuqtë kanë mbledhur vetëm 9 pikë, ndërkohë që në infermieri ndodhen 10 lojtarë të ekipit të parë. Një situatë e paprecedentë, që ka tronditur edhe më besnikët e tifozëve të kuq, të cilët e shohin skuadrën e tyre larg pretendimeve të zakonshme për titull. Në takimin e fundit kundër Vorës, tre lojtarë u larguan të dëmtuar, bëhet fjalë për Skukën,Markun dhe Prekën. Në listën e shumtë të të dëmtuarve janë edhe Bintsuka, Martinez, Da Silva, Keko,Çipi, Amos,Sembene.
Me këtë listë të gjatë mungesash, trajneri Kërnaja ka mbetur me pak alternativa, sidomos në mbrojtje dhe në fazën e sulmit. Në disa ndeshje, Partizani është detyruar të aktivizojë lojtarë të rinj nga akademia ose të ndryshojë skemat taktike për të mbuluar boshllëqet.Për një skuadër që në verë kishte shpallur objektiv të qartë titullin, ky është një start zhgënjyes. Gjendja fizike e lojtarëve, mungesa e vazhdimësisë dhe presioni i tifozëve kanë bërë që atmosfera në klub të jetë e rënduar.
Në klub janë të vetëdijshëm se për të mos humbur përfundimisht kontaktin me kreun, duhet një reagim i menjëhershëm. Stafi mjekësor po punon intensivisht për të rikthyer disa prej lojtarëve kyç, ndërsa drejtuesit po mendojnë për ndërhyrje në merkaton e janarit, nëse situata nuk përmirësohet.
Partizani ndodhet në një udhëkryq të vështirë. Me më shumë të dëmtuar se pikë, skuadra duhet të gjejë forcën për t’u ringritur. Rikthimi i lojtarëve të rëndësishëm si Skuka, Martinez apo Sembene do të jetë thelbësor për të rikthyer identitetin dhe garën për objektivat sezonalë. Deri atëherë, të kuqtë duhet të mbijetojnë me forcat që kanë.