Partizani ka zyrtarizuar daljen në shitje të biletave për derbin e shumëpritur ndaj Tiranës, i cili do të luhet të dielën, më 15 shkurt, në stadiumin “Air Albania”, me fillim në orën 19:30. Lajmi është bërë i ditur nga klubi i kuq përmes një njoftimi zyrtar, duke detajuar edhe çmimet sipas tribunave dhe sektorëve përkatës.
Sipas njoftimit, biletat në tribunat qendrore variojnë nga 3 000 deri në 5 000 lekë, me sektorin VIP GOLD W104 që mbetet më i shtrenjti. Në tribunën përballë, çmimet janë më të përballueshme, nga 1 000 deri në 1 500 lekë, ndërsa tribunat pas porte ofrojnë bileta me çmim 500 lekë, duke i dhënë mundësi një numri sa më të madh tifozësh të jenë të pranishëm në stadium.
Klubi ka bërë gjithashtu të ditur sektorët e rezervuar për tifozërinë e Tiranës, për të garantuar mbarëvajtjen dhe sigurinë e ndeshjes, siç kërkohet në takime të kësaj rëndësie.
Menjëherë pas publikimit të çmimeve, është vënë re një interes i shtuar nga ana e tifozëve të Partizanit, të cilët kanë nisur të informohen dhe të sigurojnë biletat për një nga ndeshjet më të rëndësishme dhe emocionuese të kampionatit.