Partizani ka edhe një ndeshje për të luajtur, por sezoni i kuq mund të quhet që tani i mbyllur. Fryti i vetëm në aspektin sportiv për të kuqtë është kualifikimi në Europë, teksa skuadra nuk arriti të marrë asnjë nga trofetë në këtë edicion, duke u eliminuar në të dyja kompeticionet nga Egnatia në gjysmëfinale.
Në klubin e kuq, nga dita e djeshme, ka ardhur koha për një analizë dhe reflektim të një sezoni të gjatë, që me kalimin e kohës pa që të kishte rokada në stol dhe drejtorë të rinj, që marrin frerët e klubit. Në ditët në vijim në klub pritet të zhvillohet një mbledhje mes drejtuesve, me presidentin Demi, që siç e ka zakon në punën e tij, do të ballafaqojë protagonistët me objektivat e vendosura në fillim të sezonit dhe atë që është arritur.
Me mbylljen e këtij sezoni me kualifikimin në Europë, pritet të nisë projekti i ri i tyre. Pjesë e klubit është edhe drejtori sportiv, Arbër Abilaliaj, por ajo që “nuhatet” në korridoret e kuqe është se Haxhia do të jetë udhëheqësi i ndryshimeve që duhet të ndodhin me të patjetër në klubin e kuq. Gjithçka pritet të nisë nga largimet.
Klubi dhe drejtuesit kanë nisur që tani lëvizjet për lojtarët që do të vijnë, me synimin për ta kthyer Partizanin pretendent të Kategorisë Superiore. Nisur edhe nga njohjet që Haxhia ka në Itali, tregu përtej Adriatikut pritet që të ketë edhe vëmendjen më të madhe. Vëmendja do të jetë në sjelljen e lojtarëve cilësorë të një moshe relativisht të re, që mund të shiten në të ardhmen. Mbetet të shihet sesa do të materializohet ky projekt te Partizani.
Comments are closed