Partizani është duke kaluar padyshim momentin më të mirë të sezonit me të kuqtë që kanë fituar pesë ndeshjet e fundit në kampionat. Të kuqtë janë në rrugën e duhur për të prekur zonën e “Final Four” në fundin e kampionatit teksa aktualisht kur kanë mbetur edhe dhjetë ndeshje për t’u zhvilluar në Superiore, mbajnë vendin e pestë në tabelën e klasifikimit me 39 pikë, po aq sa edhe Dinamo e vendit të katërt, teksa me blutë, Partizani përballet të hënën e ardhshme në një ndeshje që mund të konsiderohet si një finale për të dyja skuadrat.
Një lajm i mirë në ambjent e kuq është fakti që Albers Keko ka njoftuar rikthimin te Partizani, pas dëmtimit që e la jashtë nga muaji korrik. Sulmuesi dëmtohej në ndeshjen e parë të Europës me Kaljun në Talin.Keko pritet të përfshihet me skuadrën në stol këtë muaj, ndërsa ekziston mundësia që të fitojë minutat e para. Ky shikohet si një tjetër përforcim për qendrën e sulmit. Aty ku Skuka, Toma dhe Kontreras janë po ashtu alternativa.24-vjeçari dëmtohej në momentin më të mirë, pasi konsiderohej titullar te “demat”. Keko regjistron 12 gola me Partizanin ku u transferua në vitin 2023.