Kampionë e nënkampionë në dy edicionet e fundit, por fakti që nuk arriten dot te mbronin titullin pritet të shkaktojë një revolucion te të kuqtë. E para do të ketë largime me peshë dhe e dyta sepse tekniku Orges Shehi për herë të parë që kur ka mbërritur do të përfshihet në merkato me kërkesa sipas nevojave të tij.
Në merkato janë kërkuar katër lojtarë: dy mbrojtës krahu e dy qendre, por gjërat mund të ndryshojnë në varësi të daljeve. Pikërisht kështu sepse Gueye Maguette dhe Arinaldo Rrapaj janë të destinuar ti thonë lamtumirë Partizanit. Shkatërruesi është një hap larg transferimit te Villareal, ndërsa fantazisti sezonin e ardhshëm do të luajë në Belgjikë, edhe pse nuk specifikohet ende klubi i tij i ri.
Nikulic është jashtë planeve të Shehit dhe është lënë i lirë, ndërsa me të ardhurat, që nuk do të jenë të vogla, nga Maguette dhe Rrapaj, do të ndërhyhet në merkato. Xhuliano Skuka do të rikthehet te Metz pas huazimit, por klubi ka ndërmend të tentojë një tjetër sezon, këtë herë të plotë për qendërsulmuesin, që e mbylli kampionatin në rritje. Në skadence kontrate janë tre lojtarë, qendërmbrojtësi Sota, mbrojtësi i majtë Atanaskoski dhe Zekolli.