Presidenti i FSHF-së, Armand Duka është pritur sot në audiencë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku në Vatikan.
Një takim mjaft i veçantë, ku Presidenti Duka i shprehu Shenjtërisë së tij falënderimet dhe mirënjohjen për kontributin e paçmuar që ka dhënë në lartësimin e vlerave të humanizmit dhe mesazhet e tij për paqen dhe unitetin në të gjithë botën.
Papa Françesku vlerësoi rolin e sportit në ndërtimin e një shoqërie më të bashkuar dhe më të drejtë. Takimi ishte një moment simbolik që nënvizoi rëndësinë e sportit si një urë komunikimi mes popujve në botë.
SHIKO VIDEON: Armand Duka takon Papa Franceskun
ORGANIZIMI I KAMPIONATIT EUROPIAN ME SERBINË
Federata Shqiptare e Futbollit mirëpret vendimin e sotëm të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që i jep të drejtën Shqipërisë të jetë një nga vendet organizatore të Kampionatit Europian U-21 të vitit 2027.
Ky turne, i cili do të zhvillohet në qershor të vitit 2027, do të përfshijë 16 skuadra që përfaqësojnë talentet më të spikatura të futbollit të moshave në Europë, mes tyre edhe lojtarë që tashmë aktivizohen në ligat më të mira të kontinentit. Si një nga vendet pritëse, Shqipëria do të ketë për herë të parë mundësinë që të përfaqësohet me brezin e saj të ri të futbollistëve U-21 në një turne madhor ndërkombëtar.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi: “Ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga UEFA, sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli. Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit”.