Përpara nisjes së fushatës elektorale të 14 majit, kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha njoftuan hapjen e podcast-eve, duke marrë jo pak vëmendje. Ish-ministri Pandeli Majko teksa po zhvilloheshin këto diskutime ë Komisionin për Çështjet Ligjore, shtroi pyetjen drejtuar AMA-s nëse këto podcast do të rregullohen me ligjin e ri të medias audio-vizive. “Unë e kam pyetjen për përfaqësuesit e AMA-s. Pyetja mund të tingëllojë si ironi, por ndryshimet që vijnë sot kanë të bëjnë me ofruesit e shërbimeve të mediave audio-vizive. Këto podcast që po dëgjojmë. Rama do të krijojë një podcast të vetin edhe zoti Berisha po ashtu. Këto janë të rregulluara nga ky ligj? Janë nën rregulloren e këtij legjislacioni q po diskutojmë sot? Kam përshtypjen e influenca e rrjeteve sociale po krijon disa zona të lira të ashtuquajtura ekonomike dhe këtu po diskutojmë për të kontrolluar disa mediave të licensuara në një kohë që tregu i medias është ridimensionuar. A ka fuqi AMA të ndërhyjë, apo duhen rregulla ligjore? Pyetja ime është a është e rregulluar kjo?”, deklaroi Majko.
Rama bëhet “moderator” në prag të zgjedhjeve
Kujtojmë se teksa na ndajnë shumë pak muaj nga zgjedhjet, kryeministri Edi Rama ka njoftuar ndjekësit e tij në rrjetet sociale se do ta sfidojë vetën në një tjetër eksperiencë, përveç të qenit politikan. Ndërsa nuk ka lënë rrjet social pa u bërë pjesë me Youtube, kanal në Facebook, TikTok etj, kreu i qeverisë theksoi dy ditë më parë se do të hapë një podcast dhe pjesë e tij thotë se do të jenë njerëz të njohur dhe të panjohur. Rama e ka quajtur atë “Flasim” dhe shton se të ftuar do të jenë shqiptarë pjesë e skenës publike dhe jo vetëm, madje të huaj dhe kundërshtarë të tij nëse e pranojnë ftesën. “Është një eksperiencë e re për mua dhe ju. “Flasim” është podcasti im menduar për të folur lirshëm në praninë tuaj me njerëz të njohur a të panjohur. Personazhe të skenës publike, politikës, artit, kulturës, medias, shqiptarë, të huaj, miqësorë apo jo ndaj meje, por edhe protagonistë të jetës shqiptare, aty ku nuk hyjnë sytë e vëmendjes publike. Madje edhe kundërshtarë pse jo nëse e pranojnë ndonjëherë ftesën. Kjo është dëshira”, shkruan Rama. Të shohim tani se do ti shkojë Ramës kjo eksperiencë si moderator dhe gazetar, megjithëse duhet thënë se tani në prag zgjedhjesh çdo hapësirë shfrytëzohet për fushatë.
Edhe Berisha njofton për Podcastin e tij
Edhe ish- kryeministri Sali Berisha njoftoi dy ditë më parë hapjen e “Podcast”-it të tij “Përtej Politikës”, ku do të zhvillojë biseda me personazhe të njohur nga fusha të ndryshme. Ai ka publikuar episodin e parë me rrëfimin e jetës së tij nga lindja në fshatin Viçidol në Tropojë dhe shkollimi e rrugëtimi më pas. Ai ka përshkruar fshatin, kullën në të cilën është lindur e rritur, si dhe episode nga fëmijëria. “Unë kam lindur në fshatin Viçidol në kodrën e priftit, pas konvertimit ajo ndryshoi edhe emrin. Fshati është një luginë e bukur dhe dominohet nga kjo kodër mbi të cilën nuk ka shtëpi të tjera. Kam lindur më 15 tetor të vitit 1944. Hapat e para dhe fjalët e para unë i kam shqiptuar në një kullë. Askënd nuk kisha më të adhuruar se xhaxhain tim, i cili menaxhonte familjen, pronat, aktivitetet me një aftësi të admirueshme dhe ishte padiskutim për të gjithë familjen, njeriu më i dashur dhe i respektuar. Ishte një kalorës shumë i veçantë. Ai vishej bukur me kostume malësori dhe në çdo pesë javë ata bënin qitje. Në qitje mendoj se nga mosha 5 vjeçare na kanë marrë dhe ne fëmijëve, kryesisht djemve, por dhe vajzat që donin. Për djemtë ishte e detyruar, do shkojnë të provojnë qitje. Qitja, të jepej një fishek për fëmijët dhe në rast se afrohej, kishe të drejtë ose përfitoje dhe një fishek të dytë, më shumë se kaq jo. Pra kulla, qitja i jepnin një lloj karakteri të veçantë, një lloj dimensioni, si të themi lehtësisht luftarak apo ushtarak fëmijës që në fillim”, tha ai. Por Berisha në podcast nuk shpjegoi pse ai ka aq tmerr të kthehet në Vuçidol dhe çfarë i ka ndodhur.