Kryeministri Edi Rama ka njoftuar me anë të një postimi në Facebook se “po shkon në 30 mijë numri i pagave 40 mijë lekë të derdhura në llogaritë e punonjësve që nuk e kishin marrë mbështetjen financiare të qeverisë, si pasojë e mosaplikimit nga ana e punëdhënësve”.
“Lajm i mirë: po shkon në 30 mijë numri i pagave 40 mijë lek të derdhura në llogaritë e punonjësve që nuk e kishin marrë mbështetjen financiare të qeverisë, si pasojë e mosaplikimit nga ana e punëdhënësve. Faleminderit punëdhënësve që reaguan pozitivisht ndaj apelit tonë! Sipas llogarive të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, janë edhe afro 20 mijë të tjerë që duhet të paguajnë, prandaj u kujtoj punëdhënësve që s’kanë aplikuar ende se afati për ta skadon të premten, 5 qershor, në mesnatë”, shkruan Rama.
Kryeministri shton se “kush nuk do të bëjë aplikimin për punonjësit e vet do të paguajë gjobë, ndërsa të gjithë punonjësit e lënë pa mbështetjen e punëdhënësit, nuk do të jenë vetëm sepse ne do t’u derdhim menjëherë 40 mijë lekët në llogarinë e tyre nga e hëna e ardhshme”.