Partizani do të luajë përballë Skënderbeut, gjysmëfinalen e parë të “Final 4”. Sfida që do të zhvillohet më 17 maj në stadiumin “Air Albania”, do të startojë në orën 20:00. Një ditë para kësaj sfide mjaft të rëndësishme, ka folur para mediave trajneri i “Demave”, Orges Shehi. Ky i fundit ka treguar gjendjen e ekipit si dhe vlerëson Skënderbeun maksimalisht.
PARTIZANI- Pas 36 javëve jemi munduar që të rifreksonim pak skuadrën me disa minuta më pak në ndeshjen e fundit. Gjatë kësaj periudhe kemi punuar të riaftësojmë me grupin Taipin dhe Carën , të cilët i janë bashkuar skuadrës. Ekipi është i plotë dhe i përqendruar për takimin e nesërm. Na mungon edhe një seancë stërvitore që do të zhvillojmë sot dhe pastaj do të vendosim përfundimisht se kush do ta filloj ndeshjen nga fillimi dhe kush jo.
SKËNDERBEU-Në këtë pikë ne do ta vlerësojmë Skënderbeun si skuadër që është renditur e katërta, që ka objektivat e veta dhe është një skuadër që ne kërkojmë ta mundim për të shkuar në finale.
BARAZIMI-Nuk është se na favorizon shumë por duhet ta kemi si pikë orientimi për të mos ulur dozën e përqëndrimit , vlerësimit dhe motivimit. Në futboll gjithçka ndodh dhe nuk duhet ta mendojmë që edhe me barazim kalojmë në finale. Objektivi ynë i vetëm është që të jemi në finalen e 26 Majit.
ATMOSFERA E TIFOZËVE-Ata janë lojtari ynë i 12-të. E kam thënë edhe herë të tjera, gjej rastin ti falenderoj sepse edhe kur s’kemi qenë aty ku duhet ata kanë qenë gjithmonë në nivelin e tyre, gjithmonë prezent. Kam besim që nesër do të jenë si përherë në mbështetje të skuadrës. Nuk e di se çfarë efekti do të ketë atmosfera e tyre te Skënderbeun, por te ne është e sigurtë që ka efekt shumë të madh.