Olta Gixhari ka prezantuar mbrëmjen e djeshme për herë të parë në publik partnerin e saj Dorin dhe djalin e tyre Amar.
Teksa lexohej letra që partneri i kishte shkruar aktores, në ekran u shfaqën disa momente të ëmbla të çiftit nën shoqërinë e njëri tjetrit.
Ndërkohë që Olta pa edhe disa imazhe të djalit të saj, i cili është 2 vjeç e gjysmë.
Në letrën e tij, përveç fjalëve për partneren Dori kishte zgjedhur të dërgonte mesazhe edhe për banorët e Big Brother Vip Albania. Ai e ka nisur letrën duke e qetësuar Oltën për djalin e tyre, Amar e duke i treguar se ai është mirë dhe e ndjek 24 orë. Më pas Dori e vazhdon letrën duke dhënë një mesazh të fuqishëm për të gjithë banorët.
Letra:
Në fillim po të shkruaj për pikëpyetjet që ke në kokë që në fund të jesh e përqëndruar për mesazhin që dua të përcjell për ty dhe për të gjithë banorët aty brenda. Drita e syve të tu, Amari është shumë mirë. Më vjen shumë keq të të them që nuk e ka marrë malli për ty sepse të dy bashkë të ndjekim 24 orë. Familja dhe shoqëria të suportojnë. Ti je një grua e fortë, me karakter, fisnike dhe unë për këtë të kam zgjedhur. Nuk kam dashur kurrë të të ndryshoja, as nuk doja të ishe ndryshe përveçse ajo Olta që unë njoh. Ti më zgjodhe sepse jam i drejtpërdrejtë prandaj dhe sot po të shkruaj një letër jo vetëm për ty, por për të gjithë. Big Brother është një eksperiencë që do e përjetoni vetëm një herë në jetë. Marrëdhënien në atë lojë nuk e keni vetëm me Vëllain e Madh, por dhe me njëri-tjetrin, edhe me ne që ju ndjekim e që ju na quani publiku, por ne jemi bashkëkombësit, familjarët, shoqëria dhe fansat tuaj. Vëllai i Madh disa herë ju ka penalizuar dhe zarfi i zi është bërë kryefjala e atij formati, për rregulla që thyhen, profesionistë që nuk i zgjedhin fjalët kur i drejtohen njëri-tjetrit. E kuptoj që presioni, izolimi ju bëjnë të dilni nga karakteri, por kjo nuk do të thotë që të harroni se kush jeni. Mos harroni që jeni përzgjedhur mes mijëra personazheve për të përfaqësuar një emision publik që ndiqet në çdo shtëpi, brenda dhe jashtë vendit. Mos e merrni të mirëqenë faktin që thirreni yje për 4 orë 2 herë në javë, gjë që nuk ndodh në jetën reale. Merrni opinione për jetesën tuaj aty që ju bëjnë të reflektoni për të rregulluar çdo mangësi, për tu plotësuar si njeri, pastaj si artist dhe në këmbim ju kërkojmë vetëm buzëqeshje dhe qytetari. Vetëm kështu mund dhe duhet të lani çdo gjë që ju është vënë në dispozicion nga Vëllai i Madh. Ti je njeri plot diell, Olta. Këtë nuk e them vetëm unë, por çdo njeri që të njeh, ka punuar apo ka folur me ty qoftë një herë në jetë. Batutat e tua më mungojnë shumë, më mungon të shoh të qeshësh, të kërcesh, të jetosh aty brenda asaj shtëpie siç jetojmë të lumtur në shtëpinë tonë që mbase nuk është më e madhe se Shqipëria, por që e sigurt ka dashuri aq sa për të mbuluar të gjithë Shqipërinë me gaz. Për mua Big Brother nuk është lojë, është garë dhe në garë kundërshtari duhet respektuar dhe nëse është humbës. Por kjo nuk është një letër vetëm për ty. kjo ishte dhe për ty Gent, faljen e të cilit unë e pranoj dhe e respektoj, dhe për ty Luiz që ta çmoj humorin, dhe për ty Ronaldo që je i drejtpërdrejtë dhe luftarak, dhe për ty Kristi, Amos, Armaldo dhe për ju goca që jeni dhurata nga Zoti për familjet shqiptare. Olta jam shumë krenar për ty, mos e jetoni me stres, por shijojeni kohën aty sepse kur të dilni do bëheni pishman, por nuk do keni mundësinë t’i rikuperoni ato ditë. Të duam shumë, të përqafojmë dhe mezi të kemi.