Në protestën që u zhvillua ditën e sotme në Bulevardin e “Dëshmorëve të Kombit”, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u godit me grusht në fytyrë nga 31 vjeçari Gert Shehu.
Ky incident është pasqyruar edhe nga mediet e huaja, si Reuters, Washington Post, Ansa.It, TGCom24, Prothema etj.
Reuters: Udhëheqësi i opozitës shqiptare Sali Berisha u godit me grusht në fytyrë nga një kalimtar i rastësishëm mashkull teksa drejtonte turmën e mbështetësve të partisë së tij në qendër të Tiranës për protestën antiqeveritare që po zhvillohet disa metra larg vendit të një samiti të BE-së.
Washingtron Post: Lideri i Partisë Demokratike të qendrës së djathtë të opozitës shqiptare u sulmua të martën gjatë një proteste antiqeveritare të mbajtur pranë një samiti të liderëve të Bashkimit Europian dhe homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor në kryeqytetin shqiptar.
Euractiv: Pasoi një përleshje dhe Berisha u godit me grusht në fytyrë nga një burrë në turmë dhe më pas u sulmua nga mbështetësit e liderit përpara se të arrestohej dhe shtrohej në spitalin e traumës së qytetit.
ANSA.IT: Ish-kryeministri shqiptar dhe kryetari aktual i Partisë Demokratike, forca kryesore opozitare e qendrës së djathtë – Sali Berisha, u sulmua sot nga një sulmues i panjohur teksa po shkonte në një demonstratë të organizuar kundër qeverisë së kryeministri Edi Rama, me rastin e samitit BE-Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë.
Capital.GR: Sali Berisha u sulmua nga një kalimtar i rastit teksa lideri i opozitës shqiptare drejtonte një demonstratë antiqeveritare me një turmë mbështetësish të partisë së tij në qendër të kryeqytetit Tiranë.Demonstrata u mbajt pak metra larg vendit ku do të mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor.Mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën sot në qytet teksa Shqipëria pret për herë të parë samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili mbledh së bashku liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Prothema: Sali Berisha u godit me grusht në fytyrë nga një kalimtar i rastit, ndërsa lideri i opozitës shqiptare drejtonte një demonstratë antiqeveritare me një turmë mbështetësish të partisë së tij në qendër të Tiranës. Demonstrata u mbajt pak metra larg vendit ku do të mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor.