Me 96 vota kundër, mazhoranca e ka rrëzuar sot në Kuvend dekretin e presidentit Ilir Meta për Kodin e ri Zgjedhor.
Pak ditë më parë, kreu i shtetit i ktheu për rishqyrtim ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe i bëri thirrje Kuvendit dhe qeverisë ta rishikonin edhe një herë.
Sipas Presidentit Ilir Meta, me Kodin e ri zgjedhor vendi po shkon drejt zgjedhjeve ku rregullat e konkurrimit favorizojnë partinë e tij në pushtet.Në arysetimet e tij, Presidentit Meta thotë se: “Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 tetor 2020, cenojnë parimin e procesit të rregullt ligjor, si dhe të drejtën për të zgjedhur e për t`u zgjedhur, e mbi të gjitha parimin e barazisë së votës”
Teksa rendit arsyet, kreu i Shtetit, Ilir Meta thotë se Qeveria përmes dhunës dhe shpërdorimit të procesit ligjbërës kerkon të manipulojë zgjedhjet.
–Dëshiron të manipulojë zgjedhjet e 25 prillit 2021 në favor të Partisë Socialiste, përmes ligjit, duke shfrytëzuar aktualisht edhe pozitën e Kryeministrit si kryesues i OSBE-së;
– Dëshiron të minimizojë fuqinë e shndërrimit të votës së qytetarëve opozitarë në mandate parlamentare;
– Dëshiron të krijojë avantazhe për partinë e tij në procesin zgjedhor të 25 prillit 2021;
– Dëshiron të ulë besimin e publikut në tërësi dhe votuesve tek ky proces zgjedhor, në mënyrë që të shmangë sa më shumë pjesëmarrjen në proces të votuesve opozitarë me qeverinë;
– Rrezikon që ta mbajë Shqipërinë jashtë Bashkimit Europian, duke shmangur çdo mundësi llogaridhënie dhe duke e ri-etiketuar vendin, si një shtet që nuk mund të realizojë edhe sot pas 30-vjetësh pluralizëm politik, zgjedhje të lira e të ndershme.
Dekreti i Metës erdhi pak më shume se dy javë nga miratimi në Kuvend, pa konsensusin e opozitës jashtë parlamentare.