Një “gjysh” i ulur në karrigen e tij ndjek gjysmëfinalen e Argjentinës kundër Kroacisë para vitrinës së një dyqani elektroshtëpiake.
Imazhi u bë shpejt viral dhe pushtoi mediat e vendit të Amerikës së Jugut, duke nisur një ‘garë’ për të zbuluar se kush ishte ai plak i këndshëm dhe për t’i dhënë një televizor që ta lejonte të ndiqte Messin dhe shokët e tij.
Fotoja është realizuar nga një dëgjues i radios “Reporte 100.7”, nga qyteti i Paranës. “Një imazh që na jep shumë për të menduar… E diel 18, të gjithë i bashkohemi”. Më pas u zbulua se ai ishte një tregtar 82-vjeçar, Carlos Bejar, pronar i dyqanit të veshjeve “La Preferida”, një nga dyqanet më të vjetra të qytetit dhe që ndodhej jo shumë larg.
Vendimi për t’u ulur dhe për të parë ndeshjet e ‘Selesion’ në rrugë ka pak të bëjë me një çështje ekonomike. Në të vërtetë, ajo e Kroacisë nuk ishte e vetmja ndeshje që ai e pa kështu: ai e kishte bërë tashmë për ndeshjen kundër Holandës.
“Ishte për të qenë në gjendje të shihja me qetësi,” tha ai për mediat lokale. Megjithatë, fakti është se një kompani i dha atij një televizor të ri 4K 55 polsh dhe një antenë dixhitale tokësore. Por për finalen e nesërme kundër Francës, Carlos ka parashikuar që sipas zakonit të tij të kthehet para vitrinës së elektroshtëpiakeve. “Përderisa nuk më dëbojnë, unë do të qëndroj aty”, tha ai.