Pas rikthimit në elitën e futbollit shqiptar, te Laçi kanë ardhur zhvillimet e para të rëndësishme. Klubi kurbinas dhe trajneri Naci Sensoy që drejtoi skuadrën drejt Superiores kanë mbyllur bashkëpunimin mes tyre.
Naci Sensoy mori drejtimin e bardhezinjve në një moment delikat dhe arriti të ndryshojë rrjedhën e sezonit, duke e çuar ekipin deri te vendi i parë në Kategorinë e Parë. Fitorja ndaj Pogradecit vulosi ngjitjen në elitë, ndërsa suksesi dramatik ndaj Skënderbeut në javën e fundit siguroi kreun e kampionatit dhe bonusin prej 30 mijë eurosh nga FSHF.
Me mbylljen e këtij kapitulli, drejtuesit kanë nisur punën për projektin e ri. Në verë priten ndryshime të shumta në skuadër, pasi disa futbollistëve u përfundon kontrata.
Pas vetëm një sezoni në Kategorinë e Parë, Laçi rikthehet mes më të mirëve, ndërsa tashmë fokusi kalon te zgjedhja e trajnerit të ri dhe ndërtimi i ekipit për Superiore.