Ish-futbollisti i Lazios, Paolo di Canio është vendosur në qendër të kritikave. Në gjithë celularët po qarkullon një audio, ku italiani flet me një mikun e tij, tifoz i Romës në lidhje me Jose Mourinhon si trajner i verdhekuqve.
“Cra, keni marrë më të keqin e të këqijve, ai ka marrë shkarkimin e tretë në katër vite, i dëbuar nga çdo klub për shkak të karakterit të tij dhe para kësaj gjithçka e mirë ishte se ai kishte karakter. Tottenham i dha mundësinë për ta çuar ekipin në një tjetër nivel, më gjithë paratë që shpenzuan.”
Audio-mesazhi po qarkullon në të gjithë Italinë dhe ish-sulmesi ka reaguar menjëherë në lidhje me këtë ngjare.
“Së pari, nuk kam pse t’i kërkoj falje askujt. Unë flas në biseda private si të dua. Askush nuk mund të indinjohet, E dyta, ajo audio që po qarkullon kudo është pjesë e 6-7 mesazheve të tjera, ku unë them gjëra të tjera shumë pozitive për Mourinhon dhe që nuk bien në kundërshtim me ato që dëgjoni në atë audio. Nuk i publikoj, pasi janë private. Vetëm atë pjesë kanë nxjerrë tani. E gjitha është një histori qesharake dhe patetike. Unë e kuptoj se si funksionon bota, por nuk më intereson kjo formë e komunikimit.
Italiani më tej shton: “Në mesazhet e mia ka fjalë edhe për Sarrin, për futbollin e bukur. Unë them që Mourinho e ka humbur atë tërheqjen, duket sikur nuk ka më forcë, energji për të qëndruar në nivel të lartë 24 orë në ditë. Shakaja ime ka të bëjë me atë që nuk e fiton titullin kampion. Ndoshta edhe e bën, nuk e di. Me këtë Romë mund të arrini me sy mbyllur në 6 të parat, ndoshta ai e ngre edhe dy pozicione dhe të luajë për Kupën e Italisë. Kam thënë i gjori, jo për ta nënçmuar. Po çfarë i gjori mund të jetë, ai ka një statut dhe fiton miliona e miliona! Kur garonte me Guardiolën, gjithmonë thosha se është numri një. Jo për lojën, por për mënyrën se si bënte skuadër, për intensitetin e punës dhe për harmoninë në dhomat e zhveshjes”.
A nuk është më Special One?
“Ndjenja është se ai nuk e ka më atë energji dhe durim për të krijuar ambiente të stilit Mourinho. Te Manchester United ai kishte probleme me Pogba, ato janë gjëra publike, madje edhe me Mkhitaran. Në Tottenham ai u shkarkua sepse përfundoi i shtati. Pasi humbi ndaj Liverpool, kur ai po luante për vendin e parë, ai filloi të debatojë me lojtarët dhe ekipi u shemb. Në Sky, në programin e Premier League, për dy vjet, me ngurrim, them se Mourinho ka konsumuar energji.Ashtu si lojtarët e shkëlqyeshëm, edhe trajnerët e suksesshëm mund të kenë një fazë në rënie.” Përfundon di Canio.