Ish-trajneri historik i Milanit, Arrigo Saki, ka komentuar në “La Gazzetta dello Sport” fitoren 1-0 ndaj Napolit në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Lidhur me ndeshjen në “San Siro”, ai tha: “Pashë ritëm dhe shpejtësi Champions-i, ndaj mund të them se Milani dhe Napoli luajtën një pjesë të parë të nivelit europian dhe ky është aspekti i parë që duhet theksuar, sepse në Serinë A nuk jemi mësuar me ndeshje kaq intensive. Në fillim ishte evident dominimi i skuadrës së Spaletit, që krijoi disa mundësi me Menjanë, i cili u tregua shumë i zoti. Milani, megjithatë, ishte në gjendje të rezistonte dhe të kundërsulmonte. Më një dinamikë të tillë ndërtoi golin e parë ku më pëlqeu Brahim Diaz, i cili në krahun e djathtë ka gjetur vendndodhjen ideale. Në përgjithësi, megjithatë, admirova një shfaqje të skenës ndërkombëtare në pjesën e parë. Kështu duhet të luhet: me guxim, me dëshirën për të mahnitur dhe për të shkuar përtej limiteve”.
Saki përfundon duke folur për favoriten për kualifikimin mes skuadrave. Asnjëra mes Milanit dhe Napolit nuk është thellësisht e avantazhuar.
“Mendoj se nuk mund të themi se cili është favorit për të kaluar në raundin tjetër: sfida është ende shumë e balancuar. Në ndeshjen e kthimit, Napoli do të mund të shfrytëzojë shtytjen e publikut dhe nuk është gjë e vogël për një ekip që duhet të përpiqet të përmbysë rezultatin. Unë ende besoj se shanset për t’u kualifikuar janë 50 me 50″, deklaroi ish-trajneri.