Kleandro Lleshi kaloi momente ankthi më minutat e fundit në fushë ndaj Skënderbeut, duke u detyruar të shkojë në përfundim të sfidës në spital, për shkak të hipotermisë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 24-vjeçari rrëfeu se e gjitha nisi pas asaj stuhie, duke shkuar madje edhe tek humbja e ndërgjegjes, por sakrifikoi duke qëndruar në fushë për të mos lënë ekipin në baltë.
“Ajo që ndodhi në Korçë me kushtet atmosferike që u krijuan, duke qenë dhe periudhë virozash, mund të them qe janë normale këto fenomene. Sot fatmirësisht ndihem më mirë dhe pasi mora trajtimet e duhura jam i gatshëm të jem pjesë e ekipit.
Në momentin që filloi ajo stuhi, ndjeva një ftohje të muskujve, kontraktim të gjymtyrëve dhe probleme me frymëmarrjen. Nuk më kishte ndodhur kurrë kjo gjendje dhe po përpiqesha ta kaloja. Pastaj erdhi një moment që nuk isha më i ndërgjegjshëm për veprimet dhe thjesht po prisja mbarimin e ndeshjes.”