Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, i është gëzuar fitores së kuqebluve në ndeshjen e parë ndaj Vikingur të Islandës në turin e dytë të Conference League. Ai ka theksuar se shanset për kualifikim janë të hapura plotësisht për ekipin e tij.
“Jam i lumtur për djemtë se nga sekonda e parë, deri në të fundit dhanë maksimumin. Ishsim me shumë halle e peripeci. Si Krymi e Sala janë tre ditë spitaleve, njëri me serume e tjetri me gjilpëra. Kishim Qaton e dëmtuar, çdo ditë ndryshoja ritmin e formacionin e derisa arritëm të marrim këtë fitore që përgëzoj djemtë, se të luash me një ekip islandez me formën që ka duke i presuar nga e para te e fundit, është nga besimi që kanë djemtë.
Ka momente që duhet të ndryshoja diçka, mund të bëjmë edhe gabime kur ndërrojmë. Por them se si i futëm në Letoni e kthyen lojën, ata që u futën në të dytën bënë maksimumin e kishin freski.
Të rinjtë? Nuk është e lehtë të mbash këtë fanellë, presioni shtohet. Normalisht kanë vendin e do rriten gradualisht se është ekipi që i bën, janë djem që premtojnë, por kjo është fanellë e rëndë. Nuk e mendoja kurrë se do goditesha me standarte, por e rëndësishme është fitorja sot. Jemi 50 me 50 për kalimin e turit, kjo është e rëndësishme.
Gjini e Bismark kanë bërë njëri më mirë se tjetri në repartet e tyre. Janë lojtarë që sapo kanë ardhur, kanë mundësi të bëjnë edhe më tepër, nuk janë rastësisht te ne. Njërin e kisha te Teuta, Çarls na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë sot, pavarësisht se ishte dy ditë i sëmurë. Kisha gjysmën e ekipit me probleme, i falënderoj që dhanë këtë performancë sot.
Mungesa e Qatos ishte e madhe se Sala e Krymi ishin të dëmtuar. Një orë e gjysmë para ndeshjes, Sala tha dua të luaj. E kisha llogaritur që nuk do luante, mesfusha, me gjendjen aktuale, ka dhënë maksimumin, Jam i sigurt që po të jemi të shëndetshëm e me stërvitje më shumë, do të kishim performancë më të mirë.
Malën e keni parë që javën e kaluar luajti 25 minutat e fundit, edhe ai kishte periudhë pa stërvitje. Sot ishte më mirë, na ndihmon shumë në fazën sulmuese. I komplimentoj të gjithë që ishin të dëmtuar, edhe ata që nuk luajtën.
Kthimi? Kemi një javë kohë, mjaftueshëm për të rikuperuar energjitë e humbura, se ishin shumë të shpenzuara sot. Shohim edhe dëmtimet si do jenë, por nuk do shkojmë të mbrohemi. Kualifikimi është shumë i vështirë, ne i çuam nga gjumi dhe do na sulmojnë por duhet të gjejmë një strategji për të fituar edhe atje.
Kur fiton, të gjitha skemat bien e bëhen zero, nuk i bie ndër mend askujt. Kur humb diskutohet. Skemat i interpretojnë lojtarët, secila kanë të mirat e të këqijat. Djemtë luajnë lirshëm, nuk është skema ajo që vendos, por shpirti në fushë. Janë lojtarë me eksperiencë, kemi gati dy muaj që punojmë e nuk kemi pasur probleme. Por padyshim ka vend për përmirësime.
Një falënderim për tifozët shkodranë. Ishte kthim i imi pa shumë vitesh këtu, të them të drejtën m’u bë zemra mal”, tha Martini për RTSH pas sfidës.