Lideri çeçen, Ramzan Kadyrov i premtoi besnikëri të plotë Presidentit Vladimir Putin, gjatë një takimi me të në Kremlin të hënën.
“I dashur Vladimir Vladimirovich (Putin), në zonën e “operacionit ushtarak special” luftëtarët çeçenë po i kryejnë me sukses detyrat e tyre, duke zbatuar të gjithë urdhrat tuaja dhe do të luftojnë deri në fitore.
Ata që jetojnë në Republikën (Çeçene) e mbështesin plotësisht “operacionin ushtarak special” dhe besojnë se është jetike që objektivat e tij të arrihen”, tha Kadyrov.
“E shoh që djemtë e tu po luftojnë në “operacionin ushtarak special”. Bëju të fala. Faleminderit shumë”, iu përgjigj Putin.
Kadyrov është djali i ish-presidentit çeçen Akhmat Kadyrov i cili u vra në një atentat me bombë në vitin 2004 në Grozny. Ai ka lidhur aleancë me themeluyesin e grupit mercenar ushtarak Wagner, Yevgeny Prigozhin, dhe ka kritikuar ushtrinë e rregullt ruse për mungesën e impenjimit në luftën në Ukrainë.
Javën e kaluar, Putin u takua me djalin e Ramzan, Akhmat, pak ditë para se 17-vjeçari të martohej, duke u bërë shkas për përhapjen e zërave se në Çeçeni po përgatitej ndryshim pushteti, ose që Ramzan kishte probleme shëndetësore. Por sipas Kushtetutës së republikës që bën pjesë në Federatën Ruse, lideri i vendit duhet të jetë të paktën 30 vjeç.