Liria e Prizrenit ka mposhtur Vëllaznimin e Mirel Josës me rezultatin 1-0. Rezultati kaloi në plan të dytë në Ligën e Parë të Kosovës, për shkak të asaj që ndodhi pas vërshëllimës përfundimtare. Te Liria, tifozët vendas pushtuan fushën dhe u drejtuan te tifozëria kundërshtare. Gurë të shumtë dhe sende u hodhën, ndërsa raportohet dhe për të lënduar.
Po ashtu pamjet tregojnë për një futbollist të Vëllaznimit, që konfrontrohet fizikisht me një nga tifozët që ka hyrë në fushë. Në përgjigje, edhe një pjesë e tifozëve të Vëllaznimit u përfshinë në aksione të ngjashme, duke ua kthyer në të njëjtën mënyrë. Gjatë tensionit, u përfshinë edhe lojtarët, ku dallohet një lojtar i Vëllaznimit me numrin 3 që tentoi të reagojë ndaj një tifozit të Lirisë.
DEKLARATA POLICISË SË KOSOVËS
Policia dhe zyrtarët e stadiumit u mobilizuan për të ndaluar përleshjet dhe për të larguar tifozët nga fusha.
Sipas Policisë së Kosovës është ndërhyrë shpejt, ndërsa dy persona kanë pësuar dëmtime.
“Po sot në një ndeshje futbolli në Prizren, ku ishin të pranishëm rreth 2500 tifozë, pati një përleshje në mes të shikuesve. Policia ka reaguar shpejt dhe situata është qetësuar”.
“Dy persona kanë pësuar dëmtime në trup. Policia ka filluar një rast penal. Lidhur me rastin policia po punon në identifikimin e personave të përfshirë në incident”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyqi.