Afati i fundit është dita e premte, kur Gjykata Kushtetuese pritet të publikojë vendimin përfundimtar rreth kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Hashim Thaçi, për mandatarin e ri për formimin e qeverisë së Kosovës.
Ndonëse kanë mbetur pak ditë deri të ky vendim, situatat politike në vend edhe me tej vazhdon të jetë në një “ngërç” të madh.
Pritjet e partive politike janë të ndryshme. LDK vazhdon të besojë në favor të krijimit të një qeverie të re, kurse nga Lëvizja Vetëvendosje konsiderojnë se zgjidhja e vetme dhe më e mirë për Kosovën dhe stabilitetin e saj politik, është që Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme.
Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për gazetën “Bota sot”, kanë thënë se presin nga Gjykata Kushtetuese vendim racional dhe që respekton frymën kushtetuese, dhe se besojnë në të drejtën e mbi 2/3 të Kuvendit të cilët janë në favor të krijimit të një qeverie të re.
Kurse, nga ana tjetër, nga Vetëvendosje parashikojnë se nëse eventualisht kjo gjykatë do i jep të drejtën dekretit të presidentit Thaçi, një vendim i tillë do të shënon fundin e kësaj Gjykate.
E, njohësit e politikës në vend, janë të mendimit se kjo javë pritet të jetë e madhe, pasi sipas tyre, mund të gjenerojë një realitet të ri në vend, ose të vazhdojë me avazin e vjetër.
Rugova: Do ta respektojmë çdo vendim të Kushtetueses, këto do të jenë prioritetet e qeverisë së re
Zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se subjekti i tij do të respektojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Rugova gjithashtu ka thënë se beson në të drejtën e mbi 2/3 të Kuvendit, të cilët janë në favor të krijimit të një qeverie të re.
“Së pari duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të cilin jemi të obliguar ta respektojmë të gjithë. Pres vendim racional dhe që respekton frymën kushtetuese, poashtu besoj në të drejtën e mbi 2/3 të Kuvendit të cilët janë në favor të krijimit të një qeverie të re të vendit me legjitimitet të plotë e cila do të merret me problemet jo të vogla në të cilat po kalon vendi ynë”, ka thënë Rugova.
Me tej, ai ka folur edhe për prioritetet e qeverisë së re, për të cilat ka thënë se pandemia, rimëkëmbja ekonomike dhe sundimi i ligjit do të jenë prioritetet e saj.
“Menaxhimi me sukses i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike dhe sundimi i rendit dhe ligjit do jenë prioritetet e qeverisë së re të vendit e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, për gazetën “Bota sot”.
Elezaj: Nëse Kushtetuesja i jep të drejt dekretit të presidentit Thaçi se një vendim i tillë do e shënon fundin e kësaj Gjykate
Kurse, për dallim nga Naser Rugova, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Elezaj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se nëse eventualisht kjo Gjykatë do i jep të drejtën dekretit të presidentit Thaçi, një vendim i tillë do të shënonte fundin e kësaj Gjykate, dhe se pa asnjë dyshim, vendi do hynë në një krizë të thellë politike, e cila do pasohet me protesta të ashpra të anëtarësisë së Vetëvendosjes.
“Ka disa muaj që vendi ynë ka hyrë në një fazë të komplikuar dhe jo stabile politike, sidomos pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 dhe deri më sot, më mirë me thënë, pas mocionit të votëbesimit me 25 mars, i cili rezultoi me rrëzimin e qeverisë “Kurti”, me iniciativën e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës. Kjo për faktin sepse polarizimet dhe qëndrimet kundërthënëse politike midis partive erdhën gjithnjë duke u ashpërsuar edhe më shumë, së pari lidhur me heqjen apo mos heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe, lidhur me dialogun me Serbinë si dhe marrëveshjen “sekrete” Thaçi-Vuçiq, për ndarjen e mundshme të Kosovës, lidhur me “anti-amerikanizmin” e paragjykuar të Albin Kurtit, i cili po ashtu nga ana e LDK-së, PDK-së, AAK-së, etj., akuzohej edhe për prishjen e marrëdhënieve me SHBA-të, etj., që të gjitha këto akuza dhe kundër-akuza ndikuan që situata politike në vend të përkeqësohet tej mase”, është shprehur Elezaj.
Sipas Elezajt, këtë situatë e bëri edhe më të rënd iniciativa e LDK-së dhe shefit të saj, Isa Mustafës, i cili në koordinim me presidentin Thaçi ndërmorën hapa plotësisht anti-kushtetues.
Ai gjithashtu shprehet se kjo nismë e tyre, do të nxisë Vetëvendosjen që të parashtrojë ankesë pranë Gjykatës Kushtetuese.
”Thaçi dhe Mustafa ndërmorën hapa plotësisht anti-kushtetues për formimin e qeverisë tjetër nga partia e dytë, që ishte LDK-ja, duke anashkaluar partinë e parë fituese të zgjedhjeve, LVV-je, e cila sipas kushtetutës aktuale edhe pas rrëzimit të qeverisë “Kurti” asaj i takonte edhe mandati i dytë për formimin e qeverisë, e jo LDK-së, e cila në ndërkohë bëri marrëveshje me AAK-në dhe NISMA-n për ta formuar qeverinë tjetër, e cila e mori edhe dekretin nga presidenti Thaçi. Kjo nismë e tyre, natyrisht se do e nxis Vetëvendosjen që të parashtrojë ankesë pranë Gjykatës Kushtetuese për ta interpretuar dekretin e presidentit i cili e mandatoi kandidatin e LDK-së, Avdullah Hotin, për ta formuar qeverinë tjetër, por që sipas Nenit 95. pika 5 e Kushtetutës mandati i partisë fituese të zgjedhjeve, në këtë rast i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk mund t’i kalohet në asnjë mënyrë partisë së dytë”.
“Siç dihet, Gjykata Kushtetuese menjëherë pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje e pezulloi dekretin e presidentit, duke i dhënë kohë vetes, që ta bëjë vlerësimin, se a është dekreti i presidentit në harmoni me Kushtetutën, vendim të cilin pritet që ta jep brenda kësaj jave”, është shprehur ai.
Kurse, sa i përket vendimit që pritet të merret së shpejti, Elezaj ka thënë se është vështirë të parashikohet një gjë e tillë.
“Se çfarë verdikti do të jap Kushtetuesja lidhur me këtë çështje është vështirë të parashikohet, por një gjë është tejet e sigurt, se nëse eventualisht kjo gjykatë do i jep të drejt dekretit të presidentit Thaçi, përveç se një vendim i tillë do e shënon fundin e kësaj Gjykate, pa asnjë dyshim, vendi ynë do hynë në një krizë të thellë politike, e cila do pasohet me protesta të ashpra të anëtarësisë së LVV-së, e cila në asnjë mënyrë nuk do të pajtohet që të drejtën e fitores në zgjedhjet e 6 tetorit, t’ia uzurpoi LDK-ja me tri partitë opozitare, të bindur se vetëm partisë së parë i takon mandati për ta formuar qeverinë në legjislativin e -VII-të të Kuvendit. Përndryshe, zgjidhja e vetme dhe më e mirë për Kosovën dhe stabilitetin e saj politik, është që Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj ta çon vendin në zgjedhje të parakohshme”, ka theksuar ai.
Mehmeti: Ketë javë edhe pritet të jepet vendimi i Gjykatës
Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se kjo javë pritet të jetë e madhe, pasi sipas tij, mund të gjenerojë një realitet të ri, ose të vazhdojë me avazin e vjetër.
Mehmeti ka një koment edhe për deklaratat e të parit të vendit, Hashim Thaçi, për të cilat thotë se ato shprehin nervoz dhe stres, ndërsa, shton se një vendim kundër dekretit të tij i jep parakohe fund jetës së tij politike, dhe mund të ndodhë e kundërta.
“Realisht ketë javë edhe pritet të jepet vendimi i Gjykatës, ndonëse mund edhe të shtyhet. Gjithsesi, kjo javë mund të jetë java e madhe në sensin që mund të gjenerojë një realitet të ri, ose të vazhdojë me avazin e vjetër. Duke pasur parasysh deklaratat e Thaçit, ato shprehin nervoz dhe stres. Kjo duke pasur parasysh faktin se një vendim kundër dekretit të tij i jep parakohe fund jetës së tij politike, dhe mund të ndodhë e kundërta”, shprehet Mehmeti.
Tutje, ai thekson se vendimi që pritet të merret brenda pak ditëve, do të jetë historik edhe për të ardhmen, që do të shërbejë si një precedent.
“Prandaj, ky vendim do të jetë historik edhe për të ardhmen, që do të shërbej si precedent edhe për të ardhmen. Andaj, gjykatësit e Kushtetueses kanë në duart tyre vendimin më të rëndësishëm në karrierën e tyre. Të presim çfarë po na ofron java e madhe”, ka thënë analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.