“Të shqyrtohet nga organet kompetente”/ Lushnja në vendin e parafundit, Bicaj kapet me gjykimin: Na u mohua një penallti e pastër

by KLIKOJE.AL

Laçi arriti një fitore shumë të rëndësishme ndaj Lushnjës, në një përballje me ritëm të mirë dhe ngarkesë emocionale deri në sekondat e fundit. Ndeshja nisi menjëherë me intensitet të lartë. Vetëm pas pak minutash, Olsi Myrta i Laçit shënoi golin e parë, duke e kaluar skuadrën vendase në avantazh që në minutën e parë, një nisje perfekte për “bardhezinjtë”.

Megjithatë, reagimi i Lushnjës ishte i menjëhershëm: në minutën e 10-të, Salvatore Ribaudo barazoi shifrat pas një aksioni të shpejtë nga e djathta, duke mposhtur portierin vendas. Pas golit të barazimit, loja u bë më e balancuar, me raste për të dyja skuadrat, por pa efikasitet para portës.

Laçi kërkoi më shumë iniciativë, duke rritur presionin dhe kontrollin e lojës, ndërsa Lushnja u përqendrua në kundërsulme.  Në minutat e fundit, loja u hap plotësisht. Kur dukej se barazimi ishte i pashmangshëm, Orgi Cena shënoi golin vendimtar në minutën e 88-të pas një goditjeje të fortë nga brenda zonës. Lushnja pëson një tjetër humbje të dhimbshme, vendi i parafundit, dhe tashmë ndodhet në një situatë alarmante për mbijetesë.

DEKLARATA E DITMAR BICAJT

“Jam i kënaqur me grintën dhe shpirtin e garës. Mënyra se si rrodhi takimi më bën të mendoj se zhvilluam një pjesë të parë jashtëzakonisht të mirë. Pastaj, në pjesën e dytë, patëm disa probleme fizike dhe zëvendësimet ishin të detyruara. Megjithatë, jam i pakënaqur me djemtë që futen në 45-minutëshin e dytë. Nuk e ndihmojnë ekipin, nuk ndihmojnë shokët. Pres ende më shumë nga lojtarët që hyjnë si zëvendësim, për të rritur nivelin e lojës. Më vjen keq, mbi të gjitha, për mënyrën e gjykimit. Unë nuk merrem zakonisht me gjyqtarët, por më vjen shumë keq kur shikoj veprime tendencioze ndaj ekipit të Lushnjës.

Rasti i minutës së 83-të, dhe mbi të gjitha ai i minutës së 96-të, kur nuk u akordua një penallti e pastër, madje edhe vetë kundërshtarët e pranuan se ishte penallti. Pastaj nuk kemi më të bëjmë me futboll. Uroj që ky rast i takimit të sotëm (djeshëm) të shqyrtohet nga organet kompetente, sepse gjyqtarë të tillë nuk i bëjnë mirë futbollit. Dashje pa dashje, ata përshkallëzojnë situatën mes dy klubeve dhe dy qyteteve. Ne jemi për futboll “fair play”, për futboll ku të fitojë më i miri. Barazimi do të ishte rezultati më i drejtë. Por kur shikoj që ndërhyn gjyqtari me veprimet e tij, atëherë kjo është dashakeqësi”.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.