Deklaratë e ashpër e qeverisë gjermane, vetë kancelarja Merkel flet për “përpjekje për vrasje me helmim”. Helmimi i opozitarit rus, Aleksej Navalny bën që qeveria gjermane të ashpërsojë masivisht tonin kundër Putinit.
Reagimi gjerman nuk kishte si të ishte më i vendosur: Që kur opozitari rus, Aleksej Navalny po trajtohet nga 22 gushti në spitalin e Berliner Charite, rrinte pezull pyetja, nëse dhe kur, e para së gjithash si do të reagonte qeveria gjermane ndaj sinjaleve të qarta për helmim të kritikut të regjimit rus. U fol për shumë zemërim, por një ton i ashpër me qeverinë ruse nuk ishte përdorur as nga kancelarja dhe as nga ministri i Jashtëm gjerman. Tani gjërat ndryshuan.
Në fillim u publikua një deklaratë shtypi e qartë dhe e prerë e qeverisë gjermane, ku thuhet, se helmimi është provuar tanimë “pa asnjë dyshim”.
Pastaj para shtypit doli ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas dhe ministrja e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, ambasadori rus u ftua në “takim urgjent”.
Kupa u mbush
Për ambasadorin rus nuk u përdor fjala “u thirr”, forma më e ashpër e zemërimit diplomatik kështu mënjanohet. Por kjo është vetëm një nuancë, asgjë më shumë. Në fund del vetë kancelarja Merkel para shtypit për të shprehur zemërimin e saj ndaj Rusisë. Dhe flet për një “përpjekje për vrasje me helmim”. Më e qartë se kaq nuk mund të ishte qeveria gjermane, pas gjithë atyre zhvillimeve të së shkuarës, si aneksimi i Krimesë, përndjekja e opozitarëve deri në Gjermani, fushata dezinformimi të Moskës, me Navalnyn kupa u mbush. Edhe deklarata e mjekëve të Navalnyt është një tregues më shumë, sipas mjekëve, gjendja e Navalnyt është si edhe më parë serioze, ai duhet të mbahet në frymëmarrje artificiale dhe nevojitet një trajtim i gjatë. Nga brenda qeveria gjermane do dijë më shumë detaje, detaje të tmerrshme. Vështirë se mund të përfytyrohet diçka më e tmerrshme, se helmimi me një helm ushtarak.
Jens Thurau
Nëse kjo nuk është vetëm një formë sipërore e zemërimit, qeveria gjermane duhet tani të angazhohet brenda Bashkimit Europian për hapa të qartë kundër Rusisë. Moska duhet të flasë hapur dhe qartë, më në fund të angazhohet vërtet në zbardhjen e atentatit ndaj Navalnyt. Nëse kjo nuk bëhet, duhet të ndodhë diçka tjetër, ajo që të vjen ndërmend menjëherë janë sanksionet e reja.
Si reagon Putini?
Qeveria gjermane i hyn me këtë një rreziku. Nuk dihet, se çfarë bën presidenti Putin, kur ai vendoset nën presion – në Bjellorusi, në Siri, kudo ku po manifestohet gjithnjë e më qartë pretendimi i Moskës. Por nëse për Gjermaninë, nëse për Europën vlejnë ende diçka ato vlera të lirisë aq të ngritura në piedestal, atëherë ky reagim i ashpër është i nevojshëm. Ditët dhe javët e ardhshme do të tregojnë, se cilat do të jenë pasojat.
DW