Kupa e Shqipërisë meson raundin tjetër. U hodh paraditen e kësaj të premteje në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” shorti për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë 2024/2025.
Të pranishëm gjatë hedhjes së shortit ishin drejtori i Departamentit të Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, përfaqësues të klubeve pjesëmarrëse dhe përfaqësues të mediave.
Në bazë të rregullores, skuadrat u ndanë në dy vazo, ku në vazon e parë u pozicionuan: Egnatia, Partizani, Vllaznia dhe Skënderbeu dhe në vazon e dytë: Laçi, Dinamo City, Bylis dhe AF Elbasani
Nga shorti i hedhur te Kupa e Shqipërisë u përcaktuan edhe katër çiftet çerekfinaliste që janë si më poshtë:
Bylis – Egnatia
AF Elbasani – Vllaznia
Laçi – Partizani
Dinamo City – Skënderbeu
Takimet do të luhen me sistem vajtje-ardhje dhe sfidat e para do të zhvillohen në fushën e ekipeve të pozicionuara në vazon e dytë. Ndeshjet e para do të luhen më 5 shkurt dhe takimet e kthimit më 26 shkurt.
NDESHJET QË U LUAJTËN
Kanë përfunduar ndeshjet e fazës 1/8 të Kupës së Shqipërisë, ku u përcaktuan tetë skuadrat çerekfinaliste të këtij edicioni. Laçi, Bylis, Skënderbeu, Egnatia, Dinamo City, Vllaznia, Partizani dhe AF Elbasani janë tetë ekipet e kualifikuara për në fazën tjetër të Kupës së Shqipërisë.
Ditën e martë, Laçi mundi Kukësin 3-1, ndërsa Bylis siguroi kualifikimin në shtesë pasi mposhti Tiranën 2-1. Sot u luajtën gjashtë ndeshjet e tjera të fazës 1/8. Egnatia mundi Kastriotin 4-0, ndërsa Dinamo City triumfoi 6-1 ndaj Erzenit. Falë fitores minimale 1-0, Skënderbeu siguroi kualifikimin ndaj Vorës. Në ndeshjet e tjera, Partizani mundi Apoloninë 2-0, ndërsa sfidat Vllaznia – Besa dhe Teuta – AF Elbasani shkuan në shtesë, pasi u mbyllën 0-0 në kohën e rregullt.
AF Elbasani gjeti dy herë rrugën e rrjetës në kohën shtesë dhe siguroi kualifikimin, duke mbyllur sfidën 2-0. Ndërkohë, në “Loro Boriçi”, kuqeblutë e Vllaznisë shënuan golin e fitores në minutën e 108-të, duke avancuar më tej në Kupën e Shqipërisë.