Kukësi ka rezultuar skuadra më e dobët e Kategorisë së Parë pas 17 javëve të para të kampionatit. Verilindorët e mbyllën pjesën e parë të sezonit në vendin e fundit të renditjes, me vetëm 9 pikë të grumbulluara në 17 ndeshje dhe me një golavarazh tejet negativ, 9-27, shifra që pasqyrojnë qartë krizën e thellë sportive.
Ndërkohë, drejtuesit kanë përpara një punë shumë të madhe dhe komplekse, që nis me zhbllokimin e merkatos nga FIFA për shkak të një detyrimi financiar të pashlyer ndaj një futbollisti, emri i të cilit nuk është bërë ende publik. Paralelisht, klubi duhet të zgjidhë edhe çështjen e pankinës, e cila ka mbetur bosh që nga largimi i trajnerit Bledar Devolli, si dhe të gjejë përforcime cilësore që mund ta nxjerrin ekipin nga rënia e lirë. Sa i përket largimeve, i fundit që ka ndërprerë marrëdhëniet me Kukësin është mbrojtësi Eni Imami. Ky i fundit ishte rikthyer gjatë verës te ish-ekipi ku ka fituar trofe, por këtë herë pa arritur të lërë gjurmë apo të ndikojë në ecurinë e skuadrës.
“Operacioni fshesa” pritet të jetë i gjerë gjatë merkatos së janarit, çka lë të kuptohet se edhe afrimet do të jenë të shumta. Megjithatë, shpresa e ambientit është që kësaj here të bëhet fjalë për përforcime cilësore dhe jo thjesht sasiore. Pas Rei Pecanit, i cili u largua disa javë më parë, me përfundimin e fazës së parë të sezonit Kukësin e ka lënë edhe Argel Avdiu. Në listën e futbollistëve që pritet të largohen përfshihen gjithashtu Plarent Fejzaj, sulmuesit Leo Ballhysa dhe Fadiga Badjie, portieri Fabricio Arevalo Menjura, si dhe Luis Birçaj e Ergi Brahja. Situata mbetet kritike në kampin verilindor, ku largimi i Imamit shihet si një tjetër sinjal i fortë se Kukësi po kalon një nga momentet më të vështira të historisë së tij të fundit.
