Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka publikuar vendimet e ditës së enjte, duke ndëshkuar disa klube të elitës dhe zyrtarë për shkelje të rregullores gjatë ndeshjeve të fundit.
Dy ekipet e kryeqytetit si Partizani dhe Tirana janë bërë pjesë e disiplinorit. Të kuqtë janë gjobitur me 50 mijë lekë për sjellje të gabuar të tifozëve, të cilët përdorën kore fyese dhe dëmtuan ulëset e stadiumit. Po ashtu, klubi është urdhëruar të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara brenda 15 ditëve.
Masa më e rëndë financiare u vendos ndaj Tiranës, që u ndëshkua me 100 mijë lekë për kore fyese, ndezje flakadanësh dhe dëmtime të ulëseve, gjithashtu me detyrim për të shlyer dëmet e impiantit.
Ndërkohë, Vllaznia u gjobit me 100 mijë lekë për mungesë masash sigurie dhe hedhje sendesh në fushën e lojës. Dy zyrtarë të këtij klubi u pezulluan: Ergi Borshi me 8 ndeshje për sulm ndaj lojtarëve kundërshtarë dhe Alban Neziri me 4 ndeshje për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes.Edhe Elbasani do të duhet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në stadiumin stadiumin Loro Boriçi. Dy përfaqësues të këtij klubi, zyrtari Klaudio Allkja dhe lojtari Donart Ibraimi, u pezulluan respektivisht me 8 dhe 5 ndeshje për sulm ndaj kundërshtarëve.