Klubet e elitës së futbollit shqiptar (Kategoria Superiore) përsëritën sërish qëndrimin për bojkotimin e sezonit 2020-2021 pas mungesës së përgjgjes nga qeveria shqiptare në lidhje me plotësimin e katër kërkesave bazë.
Në takimin e mbajtur të 9 klubeve në Minsk të Bjellorusisë, aty ku sot do të luajë kombëtarja jonë, Liga Profesioniste e Futbollit doli me qëndrim zyrtar për të mos lejuar nisjen e kampionatit si shenjë proteste ndaj neglizhencës së qeverisë.
Kjo mbledhje u mbajt pas takimit të pasdites së djeshme po në Minsk mes presidentit të FSHF-së Armand Duka dhe disa prej presidentëve të klubeve të Kategorisë Superiore
Liga e Profesioniste e Futbollit
Deklaratë per shtyp
Sot në mbledhjen e ligës së klubeve të Kategorisë Superiore të Shqipërisë, zhvilluar ne Minsk të Bjellorusisë, morën pjesë 9 klube nga 10 gjithsej. Pas një diskutimi të kujdesshëm dhe serioz, ne presidentët e klubeve vendosëm njëzëri dhe me unanimitet të plotë:
- Të çojmë deri në fund luftën tonë për plotësimin e katër kërkesave drejtuar qeverisë një muaj më parë:
- Të ulet TVSH në masën 6%.
b.Të falen gjobat dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura.
- Efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite.
- Te miratohet Ligji i vërtetë i Sponsorizimeve, në vend të mashtrimit të qeverisë, që sot propagandohet si Ligj Sponsorizimi për Sportin.
2) Të apelojmë komunitetin e futbollit shqiptar, që debuton brenda e jashtë kufijve tanë shtetërorë, bashkësinë e sporteve të tjera, inteligjencën dhe shoqërinë shqiptare, të bashkohen me luftën tonë të drejtë e të ligjshme.
3) Ftojmë Qeverinë, në tavolinën e bisedimeve. Katër kërkesat tona janë një pjesë shumë e vogël e premtimeve gënjeshtare të kahershme e të përsëritura të qeverisë. Qeveria duhet të na dëgjojë dhe t’i plotësojë këto kërkesa minimale.
4) Ne nuk do tërhiqemi nga bojkoti ynë i kampionatit sa kohë nuk do dëgjohemi. Në datën 12 shtator kampionati ynë i Kategorisë Superiore nuk do të luhet. Ne do të protestojmë me qytetari e vendosmëri në bulevardet e Shqipërisë dhe nuk do të kthehemi më në fushat e blerta të stadiumeve, pa u përmbushur të katër kërkesat tona. Ne do të bëjmë të njohur për opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar gjendjen katastrofike të klubeve shqiptare për shkak të politikave të gabuara e të papërgjegjëshme të shtetit dhe qeverisë shqiptare.
Minsk, më 4 shtator 2020