Kreu i agjencisë britanike të kundërzbulimit bëri një përmbledhje të morisë së rreziqeve me të cilat përballet vendi, që nga militantët islamistë dhe deri tek ekstremizmi i djathtë në rritje. Por, ai theksoi se sfidën më të madhe afatgjatë e paraqet Kina.
Rusia aktualisht paraqet rrezikun më të madh shtetëror për Britaninë, por Kina do të bëhet më e rrezikshme në të ardhmen, tha Ken McCallum për gazetarët në Londër gjatë fjalës së tij të parë në publik si kreu i ri i shërbimit MI5. Ai tha se Rusia po shkaktonte “shpërthime moti të keq”, ndërsa Pekini “po ndryshon klimën”.
Drejtuesi 45-vjeçar i lindur në Glasgow tha se synon të zgjerojë operacionet e agjensisë së tij për t’u përballur me aktivitetet klandestine kineze. Ai paralajmëroi se Pekini është përpjekur të vjedhë pronësinë intelektuale të bizneseve britanike, përfshirë kompanitë farmaceutike dhe universitetet.
“Mbretëria e Bashkuar dëshiron të bashkëpunojë me Kinën për çështjet e mëdha globale, si ndryshimet klimatike, por edhe duke qenë njëkohësisht aktivë në përballjen me aktivitetin e fshehtë armiqësor, kur e pikasim”, tha ai.
Zoti McCallum akuzoi vende armiqësore, si Kinën dhe Rusinë, se nuk janë më të fokusuara vetëm në aktivitetin tradicional të spiunazhit nëpërmjet vjedhjes së sekreteve qeveritare, por se tashmë kanë vendosur në objektiv ekonominë dhe infrastrukturën e Britanisë, si dhe po përpiqen të dëmtojnë demokracinë e saj.
Ai nënvizoi gjatë informimit të tij për gazetarët aktivitetin shqetësues të shërbimeve të huaja të zbulimit përqark punës kërkimore të Britanisë dhe prodhimit të vaksinave për koronavirusin. Ai tha se agjensia e tij po përpiqet të ndalë përpjekjet për të vjedhur apo sabotuar të dhënat e punës kërkimore për vaksinën. “Qartazi, është i madh çmimi global i të përftuarit të vaksinës së parë që mund të përdoret kundër këtij virusi vdekjeprurës”, tha ai.
“Janë dy aspekte për të cilat mbajmë sytë hapur: përpjekjet për të vjedhur pronësinë unike intelektuale që krijohet gjatë kërkimeve, apo mundësinë e manipulimit të të dhënave”, tha ai. “Rreziku i dytë përballë të cilit duhet të qëndrojmë të vëmendshëm është mundësia kur puna kërkimore është me integritet të lartë dhe qëndrueshmëri, por dikush përpiqet të mbjellë dyshime për integritetin e saj”, shtoi ai.
Tre muaj më parë, Qendra Kombëtare për Sigurinë Kibernetike të Britanisë tha se hakerë të mbështetur nga Rusia ishin përpjekur të vidhnin punën kërkimore për vaksinën nga universitete dhe firma farmaceutike.
“Në vitet 2020, një nga sfidat më të vështira me të cilat përballet MI5 dhe realisht qeveria është se sfidat në rritje dhe të ndryshme të sigurisë të paraqitura nga aktorë rusë, kinezë, iranianë dhe të tjerë, janë duke u rritur për nga rrezikshmëria dhe kompleksiteti – ndërsa kërcënimet terroriste vazhdojnë në masë”, tha ai.
“Shohim gjithashtu ndërhyrje në politikë: influencimin e dialogut për Bashkimin Evropian për shembull. Jo shumë larg, neutralizuam një aktivitet të spiunazhit kinez që duket se ishte pozicionuar kundër Bashkimit Evropian”, shtoi ai.
Zoti McCallum, i cili për 24 vjet ka qenë agjent i infiltruar për agjensinë që ai tashmë drejton, bën thirrje për krijimin e një regjistri të agjentëve të huaj, ku do të kërkohet që të regjistrojnë aktivitetin e tyre lobistët, këshilltarët e tregtisë, juristët etj, që paguhen nga fuqitë e huaja për aktivitetin e tyre. Regjistra të tillë ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara dhe në Australi. Kjo do të ndihmonte për të luftuar “ndërhyrjet dhe influencimet e pandershme, që janë të dallueshme nga rreziku i spiunazhit”, tha ai.
Në një raport të botuar korrikun e kaluar, komisioni ndër-partiak për zbulimin dhe sigurinë i parlamentit britanik paralajmëroi se “ndikimi rus në Mbretërinë e Bashkuar është normaliteti i ri”. Komiteti kritikoi “mundësuesit dhe ndërmjetësit” britanikë, përfshirë anëtarët e Dhomës së Lordëve të Britanisë, të cilët kanë lehtësuar prurjen e parave ruse në Britani gjatë dekadës së fundit dhe u pasuruan ndërsa shndërruan Londrën në një “lavanderi” për paratë ruse.
“Ardhja e parave ruse rezultoi në një rritje të industrisë së mundësuesve – individëve dhe organizatave që menaxhojnë dhe lobojnë për elitën ruse në Mbretërinë e Bashkuar. Avokatët, llogaritarët, agjentët e pasurive dhe profesionistët e marrëdhënieve me publikun kanë luajtur një rol, me dashje ose pa dashur, në shtrirjen e ndikimit rus, i cili shpesh lidhet me promovimin e interesave të mbrapshta të shtetit rus”, thanë anëtarët e komisionit në raportin e tyre.
Qeveria britanike është aktualisht duke hartuar një projektligj të ri të Sigurisë Kombëtare dhe Investimeve që do të lejojë bllokimin nga autoritetet të blerjeve të bizneseve të infrastrukturës jetësore, nëse kanë frikë se ekziston një rrezik për pasuritë kryesore britanike.
Duke iu kthyer terrorizmit, zoti McCallum tha se ekzistonte një kërcënim në rritje nga ekstremizmi i krahut të djathtë. Që nga viti 2017, MI5 kishte ndërprerë 27 sulme të planifikuara terroriste, tetë prej tyre ishin të organizuara nga ekstremistët e ekstremit të djathtë. “Ky kërcënim nuk është, sot, në të njëjtën shkallë me terrorizmin ekstremist islamik. Por po rritet”, paralajmëroi ai.
Ai tha se pandemia e koronavirusit e kishte bërë më të vështirë ruajtjen e mbikëqyrjes fizike ndaj terroristëve të dyshuar, duke vënë në dukje se me më pak këmbësorë në rrugë, ishte më e lehtë të pikasen “vrojtuesit” nga njerëzit që ndjekin. Por një përfitim i pandemisë, shtoi ai, është se ka më pak aktivitete dhe më pak vende të mbushura me njerëz që mund të bëhen objektiv i sulmeve.
Zoti McCallum, drejtori i përgjithshëm më i ri ndonjëherë i MI5, mori detyrën në prill. Ai tha se shqetësohet thellësisht kur merr një telefonatë natën vonë, nga frika se mund të jetë për ta informuar për një sulm terrorist.
“Kur sulmet ndodhin, realitetet njerëzore janë të tmerrshme. Unë shpesh u them anëtarëve të rinj në MI5 se gjëja më e vështirë për të punuar këtu është se pavarësisht sa punë të madhe dhe novacion sjellim, nuk është e mundur që ne të ndalojmë çdo sulm. Sulmet terroriste janë gjithmonë, pa përjashtim, neveritëse. Kurdoherë që telefoni më bie vonë në mbrëmje, stomaku im shtrëngohet (nga ankthi) se mos është një nga ato momentet e tmerrshme”.
Burimi: VOA