Deputeti i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kërkuar me tone të ashpra në Kuvend që të zbatohet vendimi i PD për kreun e grupi parlamentar, që sipas tij Gazment Bardhi është i shkarkuar. Ai i kërkoi Bardhit para Kuvendit që nëse është bërë pjesë e aleancave të kullave të dalë dhe ta thotë publikisht. Deputeti i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu përgjigj akuzave që iu bënë nga ana e Gazment Bardhit. Basha ka paralajmëruar se pas kauzave që i bëri Bardhi, këta të dy mund të përfundojnë në prokurori.
DEBATI MES TYRE:
Lindita Nikolla: Po lexoj një njoftim nga PD e cila më drejtohet me njoftim. Më vë në dijeni që kryetari i grupit parlamentar të PD-së është kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Lulzim Basha: Sot është data 5 Tetor. Më 4 Shtator, ju keni bërë një njoftim të ardhur nga PD. U bë një muaj që ky njoftim dhe vendimet e mëpasshme të PD injorohen dhe nëpërkëmbën nga ana juaj. Pas konsultimit të rregullave do të bënit publik vendimin tuaj. Ju nuk keni bërë publik asnjë vendim dhe vazhdoni të merrni zvarrë përfaqësimin e PD duke vendosur sipas qejfit dhe jo sipas kushtetutës. Fshiheni pas rregullores së kuvendit, e cila nuk ju jep asnjë të drejtë të vononi vendimmarrjen formale për t’i dhënë PD zërin dhe përfaqësimin që ka në këtë kuvend. Nuk ka vendime të grupit parlamentar të PD, interpretime të njëanshme sepse ju kështu e doni opozitës, siç ju do qejfi ju, doni ta bëni gjithë Shqipërinë Kukës. Jepni fund kësaj maskarade. Është detyra juaj që të shprehuni pro kushtetutës, pro ligjit për partitë politike.
Gazment Bardhi: Të jem i sinqertë u emocionova shumë veçanërisht nga kjo aleanca e kullave. Parafolësi (i referohet Lulzim Bashës) është i vetmi që muajin e fundit ka marrë nja dy kate në një kullë në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës dhe kur vjen këtu për të akuzuar kolegët për aleanca kullash, numëro njëherë katet e kullave të tua në kullën më të shtrenjtë të Tiranës, tënden dhe të familjarëve të tu.
Ja ku janë deputetët e grupit të PD, ti je i vetmi njeri në këtë sallë që je vetëshpallur kryetar partie dhe nuk guxon të mbledhën grupin parlamentar të partisë që mendon se përfaqëson. Dhe e di pse? Se je ti dhe 3 të tjerë që të shkojnë nga mbrapa. Nuk je as opozitë, as përfaqësues i PD, as përfaqësues i grupit parlamentar të PD, je thjesht i rikthyer pas 1 viti e gjysmë mungese gjoja për të bërë opozitën, por opozitën e ke me kolegët e tua se me këta këtu mbrapa s’ta mban.
Lulzim Basha: Znj. kryetare, prisja përgjigje nga ty dhe jo nga bashkëautorët e kësaj zallamahie. Meqë keni vendosur që në vend të llogaridhënies para qytetarëve të bëni gjithçka për të nxjerrë dhjam nga pleshti nga kriza evidente e provokuar nga ata që kanë vendosur karrigen e tyre mbi interesin e qytetarëve, edhe njëherë po të them jep përgjigje.
Ndërsa për ata që kanë vendosur të bëjë luftën e tyre të ndyrë personale në këtë sallë, kam një përgjigje: Votoni vettingun politik, mos e ndyni gojën.
Ndërsa shqiptarëve do ju them, është i vetmi parlament ku prej vitit ‘91 ka një rregull, deputeti nuk mban përgjegjësi për çfarë thotë. Sot ky rregull është bërë shkak që të hapet goja çorap i pistë siç u hap sot pas mbajtur askush përgjegjësi. Sot nga deklarata si këto ose prokuroria nis hetimet për mua ose i nis për shpifësit. Ndaj shpifësit gojëçorap pisët që janë çuar dhe çohen këtu, ata natën firmosin për kulla dhe ditën sulmojnë PD për llogari të Edi Ramës, ta dinë jo vetëm s’na e mbyllin dot gojën por shumë shpejt këtu do përballeni me vetëdijen tuaj me projektligjin e rishikuar për vettingun politik dhe amendamentin që ju heq përgjegjësinë që dilni në këtë foltore e shpifni si ju do qejfi juaj. Shqiptarëve ju ka ardhur në majë të hundës, janë neveritur me një parlament ku kap shpifja shpifjen.