Java e 30 e Superiores përfundoi dhe rezultatet e sfidave të kësaj jave e lënë sërisht Tiranën kryesuese në tabelën e klasifikimit që ndiqet nga të kuqtë e kryeqytetit me 5 pikë diferencë. Ish-trajneri Hysen Dedja foli për RTSH Sport në lidhje me këtë fakt dhe ecurinë e kampionatit deri në këtë fazë: “Me fitoren në Shkodër them se Tirana është shumë pranë titullit edhe pse janë ende disa takime për tu luajtur që të vendoset ekipi kampion”.
Tirana u përball me Vllazninë të shtunën ku dhe fitoi me rezultatin 0-1 por si e sheh profesor Dedja ekipin shkodran: “Me mënyrën si operuan në merkato drejtuesit e Vllaznisë treguan se duan që të luftojnë për titullin kampion. Më vjen keq pasi disa prej lojtarëve kryesorë të ekipit nuk po japin atë cfarë pritej”, analizoi ish-tekniku.
Dy kryesuesit e këtij sezoni për momentin janë Tirana dhe Partizani të cilët do të luftojnë deri në fund për të rrëmbyer trofeun. “Mendoj se Tirana është favoritja për të fituar titullin kampion. E them këtë mendim duke u nisur nga një arsyetim, i cili s’ka lidhje me diferencën e pikëve mes formacioneve aktualisht. Kam vënë re se lojtarë si Abazaj dhe Lushkja kanë rritur ndjeshëm nivelin e lojës. Ata janë konsoliduar edhe më shumë me ekipin dhe për këtë motiv mendoj se Tirana është bërë një ekip edhe më i vështirë tani për tu mundur”, përfundoi ish-trajneri.