Pas emërimit të Ramadan Ndreut, gjithçka po merr drejtim te Kastrioti. Trajneri ka marrë zyrtarisht “frenat” dhe ka nisur direkt nga puna. Vërtet pati 14 largime pas rënies në Kategorinë e Parë dhe u duk se situata doli jashtë kontrollit, por jo. Ka edhe nga ata që kanë vendosur që të qëndrojnë dhe janë bindur që të vazhdojnë rrugëtimin e tyre me krutanët. I tillë është rasti i 4 futbollistëve, që mund të quhen të konfirmuar tashmë.
Bëhet fjalë për portierin Livio Malajn, mbrojtësin Eneid Kodra dhe mesfushorët Xhulio Mehmeti e Joan Çela. Ata do të jetë “bërthama” e skuadrës për kampionatin e ardhshëm.
Klubi ka nisur edhe merkaton. Rikthehet pas një sezoni mungesë edhe Sokol Neziri. Pas aventurave me Flamurtarin dhe Turbinën, kapiteni vjen në shtëpi. Mësohet se mbrojtësi i linjës së djathtë e ka nënshkruar tashmë kontratën. Ky është vetëm fillimi, pasi të tjera prurje priten në ditët në vazhdim.