Bridger Walker, djaloshi 6-vjeçar i cili shpëtoi motrën e vogël nga sulmi i një qeni, mori fillimisht vëmendjen e Anne Hatheway. Aktorja i bëri thirrje Mark Ruffalo-s (ose siç e njohim ndryshe, Hulkut) për t’i hedhur sytë nga heroi i vogël.
Familjarët e Bridger kishin bërë me dije në rrjetet sociale se 6-vjeçari është fans i “Avengers”. Kaq u është dashur disa prej aktorëve pjesëmarrës në prodhimin hollivudian, për të reaguar nëpërmjet postimeve në Instagram, e jo vetëm. “I dashur Bridger… Njerëzit që vendosin mirëqënien e tjetrit para vetes janë njerëzit më heroik që njoh. E respektoj vërtetë kurajon dhe zemrën tënde. Kurajo e vërtetë nuk është të dominosh ndaj të tjerëve, të luftosh të tjerët ose të sillesh si i fortë. Kurajo e vërtetë është të dish çfarë është më e mira për t’u bërë dhe ta bësh, edhe duke e marrë parasysh që mund të lëndohesh”, janë këto disa nga fjalët që Mark Ruffalo i dedikoi publikisht Bridger-it.
Chris Hemworth ka zgjedhur ta rrëfejë historinë e vogëlushit nëpërmjet një videoje, duke treguar se me sa guxim dhe heroizëm Bridger shpëtoi të motrën. Aktori njihet ndryshe si Thor në seritë e “Avengers”, ndërsa pa një reagim nuk ka mbetur as Captain America (Chris Evans). Ky i fundit ka theksuar në videon e tij: “Bridger, e di që po kalon kohë të vështirë deri sa të shërohesh plotësisht… Mos ndrysho kurrë. Kësaj bote i duhen njerëz si ty!” Njohur ndryshe nga publiku si ‘superheronjtë e Avengers’, hollivudianët nuk i kanë kursyer komentet për historinë e Bridger. Me siguri, vogëlushi është emocionuar kur ka parë se të preferuarit e tij janë bërë bashkë edhe një herë për t’i përcjellë gjithë mbështetjen e mundshme.
Nuk thonë kot: Jo të gjithë heronjtë mbajnë maska!