Gazetari investigativ, Artan Hoxha, ka komentuar sërish sulmet kibernetike iraniane që kanë goditur vendin tonë që prej korrikut.
Sa i takon hakerimit të sistemit të policisë “Deep Sea”, Hoxha shprehet se personazhet e botës së krimit interesohen çdo ditë për të dhënat që nxjerrin hakerat irananë, duke theksuar më tej se çdo server shqiptar është hakuar për 14 muaj dhe hakerat kanë boshatisur ato të dhëna nga serverat.
Në komentin e tij gazetari thekson se hakerat kanë në dorë edhe sistemin bankar dhe po sulmojnë pak nga pak.
“Jemi ndodhur të pambrojtur krahas këtij sulmi. Ata kanë dëshmuar se janë futur thellë në themelet e sistemeve tona, kanë punuar për 14 muaj për sulmin ndaj nesh. Lufta mes Iranit dhe Muxhahedinëve, viktima jemi ne. Shqipëria është gjetur e pambrojtur, askush nuk na thotë saktësisht se çfarë ka ndodhur. Na kanë marrë çdo server për 14 muaj, jo vetëm që kanë hyrë, por i kanë boshatisur ato të dhëna. Na kanë marrë hipotekat, ALUIZN-in, dhe serverin e sistemit bankar. Ata po sulmojnë pak nga pak. Persona të botës së krimit pyesin çdo ditë për të dhënat e dala”, tha Artan Hoxha.