Java e 27-të e Kategorisë së Parë prodhoi rezultate të thella dhe konfirmoi momentet kontradiktore që po kalojnë disa prej skuadrave të kampionatit.
Barazimi 2-2 mes Luftëtarit dhe Apolonisë solli një përballje të luftuar deri në fund, ndërsa Kastrioti dhuroi spektakël duke mposhtur thellë Burrelin me rezultatin 5-2. Po ashtu, Laçi vazhdon formën e mirë duke triumfuar 5-3 ndaj Besës së Kavajës, në një ndeshje të mbushur me gola.
Një tjetër fitore e pastër ishte ajo e Pogradecit, që kaloi 3-0 Ilirinë e Fushë-Krujës, ndërsa sfida mes Skënderbeut dhe Korabit u mbyll pa gola.
Por vëmendja kryesore mbetet te Lushnja. Humbja 3-2 ndaj Kukësit thellon krizën e verdhejeshilëve, që tashmë ndodhen në një situatë alarmante. Ekipi vijon serinë negative dhe, më shqetësuesja, ka rrëshqitur në zonën e rënies nga kategoria. Performanca e dobët në javët e fundit ka vënë në pikëpyetje serioze objektivat e sezonit dhe kërkon reagim të menjëhershëm për të shmangur më të keqen.
Java e 27-të konfirmon se gara mbetet e fortë si në krye, ashtu edhe në fundin e tabelës, ku çdo pikë tashmë ka peshë vendimtare.