Jagiellonia Bijalstok, skuadra që do të përballet me Dinamon në Play-Offin e Conference League vijon aktivitetin në kampionatin polak. Në ndeshjen e fundit e vlefshme për javën e katërt, Jagiellonia arriti një fitore me rezultatin 1-2 ndaj Radomiak Radom, sukses që erdhi me përmbysje. Aktualisht Jagiellonia mban vendin e katërt në klasifikim me 9 pikë, një ndeshje më pak për të zhvilluar.
Pasi arriti vendin e tretë në sezonin që lamë pas, Jagiellonia ka hyrë me një profil më agresiv dhe ofensiv. Me një formacion të ri, trajneri Adrian Siemieniec po kërkon të balancojë kreativitetin e mesfushës me efikasitetin e sulmuesve. Shifrat në vetëm katër ndeshje flasin qartë, 10 gola të shënuar nga të cilat 3 i përkasin spanjollit Hesus Imaz. Megjithatë një aspekt negativ është fakti që Jagiellonia po vuan në mbrojtje. 9 gola të pësuar.
Këtë sezon pjesa difensive është një përzierje e përvojës dhe lojtarëve të rinj, megjithatë ndryshimi i skemës nga trajneri në 4-1-3-2, ka sjellë një çekulibrim duke e bërë mbrojtjen të duket e ekspozuar ndaj kundërshtarëve të shpejtë. Një aspekt që Dinamo mund ta kthejë në favorin e saj në ndeshjen e së enjtes me ndeshjen e parë që do të luhet në Poloni.