I riu në foto është Redi Balla, 22-vjeçari i cili u gjet dje në mbrëmje i plagosur në rrethana të paqarta në makinën e tij. Mësohet se i riu ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Kujtojmë që dje në mbrëmje rreth orës 22:35, të shtëna u dëgjuan në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Pranë lulishtes te rrethrrotullimi u gjet i plagosur me një plumb në këmbë shtetasi Redi Balla.
Nuk dihet nëse autori i plagosjes ka qenë në të njëjtën makinë me 22-vjeçarin. Pas ngjarjes uniformat blu rrethuan zonën dhe ushtruan kontrolle për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentin e plotë të saj. Ngjarja ndodhi ndërkohë që i gjithë fokusi, përfshirë edhe policinë, ka qenë në ndeshjen Shqipëri-Poloni, që po luhej në stadiumin “Air Albania”.
Dyshimet paraprake janë për një atentat, megjithatë ka ende pak detaje mbi rrethanat si ka ndodhur ngjarja. Policia pritet të kqyrë pamjet e kamerave të sigurisë në zonën e populluar ku ka prani të bizneseve të shumta.
NJOFTIMI PARAPRAK
Rreth orës 22:35, tek lulishtja në rrethrrotullimin e Komunës së Parisit, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se është plagosur me armë zjarri brenda mjetit të tij të parkuar shtetasi R.B, 22 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Policisë kanë bërë rrethimin e zonës dhe po vijojnë kontrollin e saj për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit.