Elbasani ka një detyrë të vështirë këtë të diel, kur i duhet që të ndalë kampionët në fuqi të Superiores, të cilët vijnë pas 7 fitoreve radhazi. Egnatia është ekipi i momentit në kampionat, qëndron në krye të klasifikimit, por trajneri i verdhebluve, Ivan Gvozdenoviç, mendon se skuadra e tij është në gjendje ta përballojë këtë kundërshtar.
DËMTIMET- Deri tani situata me lojtarët është e mirë, përveç Hakajt edhe Lleshit që janë të dëmtuar. Do të bëjmë edhe stërvitjen e fundit, grumbullimin dhe më pas me stafin do të vendosim për titullarët dhe detajet e tjera. Ne jemi gati, e dimë që do të jetë një ndeshje e bukur dhe e vështirë njëkohësisht. Them e bukur, pasi është si derbi, ndërsa e vështirë është sepse Egnatia është një skuadër e mirë. Kemi respekt për të, për rezultatet që ka pasur dhe ato që ka arritur vitet e fundit.
NDESHJA – Jemi gati për Egnatian, do të bëjmë edhe analizën. E dimë që kundërshtari ka shumë pika të forta, por ka edhe të dobëta, si çdo ekip. Mendoj për skuadrën time dhe them se pjesa e dytë me Tiranën dhe 90 minutat me Vllazninë kanë qenë pozitive. Tani kemi nevojë për vazhdimësi. Për të rregulluar, e kam thënë, kemi pasin e fundit. Në këtë aspekt mund të bëjmë paksa më mirë ndaj Egnatias që të marrim rezultat pozitiv.
MUNGESA E LLESHIT – Tani, për fat të mirë, kam lojtarë në dispozicion dhe kam shumë besim te Ze Gomesh dhe Tsague si sulmuesit tanë kryesorë. Na vjen keq që na mungon Lleshi, por kam besim te lojtarët që kam gati në skuadër. Sigurisht, nëse do të ishte edhe Lleshi, do të ishte akoma më mirë, por për momentin duhet të fokusohemi te grupi që kemi”, sqaroi serbi i stolit elbasanas.
PRESIONI – Tek Elbasani dhe përgjithësisht në futboll ka gjithnjë presion. Më kujtohet kur fituam tri ndeshje radhazi dhe sërish kishim presion. I tillë është futbolli, presion ka në çdo ndeshje dhe unë nuk e shoh si një problem, por si një arsye më shumë për të dhënë të gjithë maksimumin në kampionat dhe në Kupë. Shpresojmë ta kemi grupin sa më të plotë, ndërsa atmosferën e kemi pozitive. Për mua presioni nuk është i keq, por na bën mirë për të bërë më shumë. Ishte deklarata e Ivan Gvozdenoviç
1 comment
[…] LEXO ME SHUME:“Tani kemi nevojë për vazhdimësi”, Ivan Gvozdenoviç sfidon Egnatian: Ka disa pika të dobët… […]
Comments are closed