Deputeti Belind Këlliçi ka deklaruar mbrëmjen e djeshme se është i gatshëm të japë dorëheqjen nga mandati i deputetit në rast se roja i dorëhequr i selisë së PD, nuk e mund më vote kryetarin aktual Lulzim Basha.
“Nëse në një garë politike një anëtar një votë, roja i dorëhequr Pëllumb Matraku që dha dorëheqjen nuk e mund me votë Lulzim Bashën Belind Këlliçi jep dorëheqjen nga mandati i deputetit. I qëndroj fije për pe kësaj që them”, tha ai në Abc.
Gjithashtu, deputeti Belind Këlliçi i është përgjigjur Sekretarit të Përgjithshëm të PD Gazment Bardhit, i cili është shprehur se ish-kryetarit të Forumit Rinor të PD i kanë marrë nga zyra një nuskë dhe jo laptop siç pretendon ai. Këlliçi tha se kjo deklaratë e Bardhit është për të banalizuar një ngjarje që ai ka denoncuar. Por deputeti nuk e lë me kaq përgjigjen.
“Kjo është për të banalizuar një ngjarje që unë e kam denoncuar. Edhe nëse më ka humbur ndonjë nuskë, të paktën qeni s’më ka humbur, nuk kam paditur njeri që më ka vjedhur qenin. T’i lëmë banalitetet. Duan ta fusin diskutimin në banalitet”, shtoi Këlliçi.